A është Granit Xhaka futbollisti më me ndikim në botë?

A është Granit Xhaka futbollisti më me ndikim në botë?

Sport November 23, 2025 - 22:35

Gazeta e madhe zvicerane “Blick” e nis një analizë të gjerë për Granit Xhakën me një deklaratë të fortë: mund të ketë futbollistë individualisht më të mirë, por askush aktualisht nuk ka aq shumë ndikim sa ai – as te Zvicra, as te Sunderlandi.

Sipas tyre, Xhaka është shndërruar në një figurë me peshë të jashtëzakonshme në futbollin botëror.

“Ai vendos standardin çdo ditë” – Sunderland s’i rezistoi dot Xhakës

Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, nuk hezitoi ta vlerësonte që në ditën e parë.

“Ai vendos standardin çdo ditë”, tha ai pas mbërritjes së Xhakës në Anglinë veriore.Dhe vendimi ishte i menjëhershëm: shiritin e kapitenit e mori menjëherë.

Edhe te Zvicra, Xhaka është kapiten që nga fundi i Kupës së Botës 2018, edhe pse – siç shkruan Blick – Xherdan Shaqiri mund ta kishte imagjinuar lehtësisht shiritin në krahun e tij muskuloz.

“Por ishte e qartë që nga fillimi. Nëse Shaqiri ishte realizues brilant, Xhaka ishte gjithmonë dirigjenti i orkestrës”, shkruan Blick.

Lider i lindur: nga Parisi 2004 te Wembley 2011

Gazeta zvicerane e përshkruan Xhakën si lider të lindur, një karakter që dallonte qysh në fëmijëri.

– Në vitin 2004, me U13 të Baselit, humbi finalen e “Danone Nations Cup” para 20 mijë shikuesve në Paris.

– Në vitin 2009, fitoi Kupën e Botës U17 me Zvicrën.

– Në moshën 18-vjeçare debutoi me ekipin A kundër Anglisë në “Wembley”, në një barazim 2:2.Blick shton: “Këto paraqitje tregojnë vetëm klasin e Xhakës si futbollist. Dhe vetëbesimin e tij të palëkundur. Por për t’u bërë lideri i sotëm, ai duhej të kalonte momente të vështira. Dhe sa herë dukej se po dështonte, ai përdorte vështirësitë për t’u bërë edhe më i fortë”.

“Fola shumë dhe nuk bëra mjaftueshëm” – mësimi i madh te Gladbachu

Kur u transferua nga Baseli te Borussia Monchengladbach në moshën 19-vjeçare, Xhaka bëri një gabim tipik të një lojtari të ri plot ambicie.

“Fola shumë dhe nuk bëra mjaftueshëm”, kishte thënë ai më vonë.

Në ditën e parë u tha shokëve se objektivi ishte Liga e Kampionëve – premisë për të cilën duhej punë e madhe.

Tri edicione më vonë, ai u bë kapiten i Gladbachut.

Arsenali, 45 milionë franga dhe dy të kuqe që ndezën Londrën.

Në vitin 2016 Arsenali pagoi rreth 45 milionë franga për ta marrë Xhakën. Fillimi? I trazuar.

Ai la gjurmë menjëherë – me dy kartonë të kuq për ndërhyrje të pakuptimta, duke u kritikuar dhe vërshëllyer nga tifozët.

Por sot, shkruan Blick, Xhaka është ndër mesfushorët më të mirë të Premier Leagues për ndërhyrje të suksesshme.

Nga ndeshjet me Serbinë te qetësia e sotme: një transformim i plotë

Blick kujton edhe momentet e ndjeshme të Kupës së Botës 2018 dhe 2022 kundër Serbisë, përfshirë incidentet, duke thënë se:

“Për një kohë të gjatë, Xhaka dukej lider i lindur në ekipin kombëtar, por jo gjithmonë lojtari ideal. Shpesh vendoste veten dhe emocionet e tij në qendër të vëmendjes”.Por sot Xhaka ka ndryshuar. Tani, sipas Blick, ai edhe sakrifikon, është më i qetë dhe ka evoluar si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

“33 vjeç dhe në versionin më të mirë të karrierës”“Kualifikimi bindës për Kupën e Botës 2026 është shpërblimi i punës”, shkruan Blick, duke shtuar: “Duket sikur ai ka fituar një copë tjetër të enigmës nga çdo konflikt, çdo humbje, çdo pengesë, duke u bërë në moshën 33-vjeçare, Granit Xhaka më i mirë i karrierës së tij”.

Hapi i radhës? Karriera si trajner

Sipas Murat Yakinit, Xhaka po formohet qysh tani për rolin e trajnerit. Përzgjedhësi i Zvicrës tha në Prishtinë: “Ai po e udhëheq Zvicrën si trajner në fushë. Ai ka një të ardhme të ndritur”./Telegrafi