A po i frikësohet Sllovakia Kombëtares së Kosovës?
Foto: Laura Hasani

A po i frikësohet Sllovakia Kombëtares së Kosovës?

Sport November 21, 2025 - 09:38

Pas shortit të play-off-it për Botërorin 2026, kapiteni i Sllovakisë Milan Shkriniar nuk i kurseu fjalët e lëvdatës për Kosovën, kundërshtaren e tyre në gjysmëfinale.

Qendërmbrojtësi i njohur, i cili ka luajtur për klube si Sampdoria, Inter, PSG dhe aktualisht Fenerbahçe, theksoi se të gjitha ekipet në play-off janë të forta.

“Nuk kishte asnjë ekip të dobët midis katër kundërshtarëve. Kosova ka bërë kualifikime fantastike dhe do të jetë një sfidë e vështirë për ne”, tha Shkriniari për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Sllovakisë.

Ai shtoi se avantazhi kryesor për Sllovakinë do të jetë mbështetja e tifozëve në stadiumin e tyre: “Ambientin e shtëpisë e kemi në favor. Me stadium plot dhe tifozë pas nesh, do të japim maksimumin dhe do të krijojmë një mbrëmje të paharrueshme. Bashkë me ta, shpresojmë të afrohemi drejt qëllimit tonë”, përfundoi kapiteni sllovak.

Ndeshja mes Sllovakisë dhe Kosovës pritet të jetë një nga më interesante të play-off-it evropian, ku të dyja skuadrat synojnë biletën për në Botërorin 2026.