Granit Xhaka dhe memoria që mungon

Granit Xhaka dhe memoria që mungon

Sport November 20, 2025 - 11:18

Federata e Futbollit të Kosovës ende nuk i ka kërkuar falje Granit Xhakës. Nuk ka pasur as një fjali të vetme reflektimi. As një ndjesë për një ikonë që u poshtërua në një stadium që duhet ta kishte duartrokitur. Dhe kjo heshtje është më e rëndë se fishkëllima vetë, sepse kur institucioni që duhet ta mbrojë figurën tënde hesht, atëherë nuk ka më incident, ka degradim.

Dje, në ndeshjen Kosovë Zvicër, një pjesë e publikut fishkëlleu Granit Xhakën. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një reagim sportiv. Bëhet fjalë për një dështim qytetar. Sepse për pesëmbëdhjetë vite me radhë, Graniti ka qenë ambasador kulturor i Kosovës më shumë sesa çdo zyrtar, çdo federatë dhe çdo institucion që e ka përfaqësuar këtë vend në arenën ndërkombëtare. Ai ka sjellë imazhin e një familjeje të përvuajtur dhe të ndershme. Ka mbajtur mbi supe historinë e një populli që kërkon dinjitet, por shpesh harron ta tregojë.

Dhe pikërisht këtë harresë e pamë dje. Kur mungon mendja, fishkëllima bëhet identitet. Disa njerëz shkojnë në stadium për të parë futboll, të tjerët për të dëshmuar padijen e tyre. Nuk është turpi i Granitit, është varfëria shpirtërore e atyre që e fishkëllejnë. Në mungesë të kulturës, fishkëllima është mënyra e vetme për t’u ndier të rëndësishëm. Janë zhurma njerëzore që nuk i duhen askujt në tribunë.

Nëse do të ndiqnim logjikën e tyre të varfër, do të duhej të shikonim me rezerva edhe Fadil Vokrrin, i cili ka luajtur për Partizanin e Beogradit dhe për Jugosllavinë e atëhershme. Dhe Jugosllavia ku ka luajtur Fadil Vokrri e ka burgosur babanë e Granitit. Zvicra ka strehuar hiq më pak se 400 mijë shqiptarë.

Por askush nuk e refuzon Fadil Vokrrin sepse e kuptojmë peshën e një ikone futbolli që ka pas dëshirë futbollin dhe ska kuptuar peshën politike. Ne, e dimë se cilat figura mbajnë historinë mbi supet e tyre. Dhe Granit Xhaka është një prej tyre.

Sidomos sepse shteti që burgosi babanë e Granitit dhe e dëboi nga atdheu ishte po ai që djali i tij e skualifikoi më pas në fushën e futbollit. Ai eliminim ishte forma më e pastër e drejtësisë simbolike. Një hakmarrje kulturore që doli nga talenti, jo nga urrejtja. Ashtu siç bëjnë popujt që rriten në dinjitet dhe jo në zhurmë.

Këta që fishkëllejnë nuk janë tifozë. Nuk janë patriotë. Nuk janë as pjesë e memorjes sonë. Janë thjesht një kategori njerëzish që duan t’i japin vetes rëndësi duke ulur të tjerët. Dhe stadiumi nuk i ka as borxh e as nevojë.

Prandaj kërkesa për falje nga Federata nuk është formalitet. Është detyrim moral. Është mënyra e vetme për t’i treguar botës se Kosova nuk harron kush ka mbajtur peshën e saj në arenën ndërkombëtare. Nëse federata hesht, atëherë ajo e pranon se fishkëllyesit përfaqësojnë më shumë futbollin e Kosovës sesa Graniti. Dhe ky do të ishte turpi i vërtetë.

Granit Xhaka nuk ka nevojë për mbrojtje. Ka nevojë Kosova. Sepse karakteri humbi më shumë se çdo ndeshje.

Karma is a bitch.