Krerët e partive politike përgëzojnë Kosovën pas fitores historike

Krerët e partive politike përgëzojnë Kosovën pas fitores historike

Sport November 16, 2025 - 00:43

Fitorja 2:0 e Kosovës ndaj Sllovenisë dhe sigurimi i plejofit të Kampionatit Botëror 2026 ka sjellë reagime të shumta nga përfaqësues të partive politike në vend. Përmes rrjeteve sociale, ata kanë përgëzuar ekipin kombëtar për suksesin historik dhe emocionet që i sollën vendit.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vlerësuar fitoren si një kampanjë magjike dhe një hap të madh drejt Botërorit. 

“Fitore e madhe! Kualifikim historik në play-off të Botërorit SHBA 2026. Një kampanjë magjike.
Kjo është Kosova e ëndrrave tona – që luan fort, luan si ekip dhe fiton bashkë. Tani jemi vetëm dy fitore larg Botërorit, dhe me formën që kemi, ëndrra vazhdon të jetojë. Faleminderit, djema!”, ka shkruar Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se kjo arritje e ka bërë vendin krenar dhe se Kosova po shkëlqen. 

“Republika jonë e re që po shkëlqen. Djema, ju faleminderit që po e lartnoni një vend të tanë! Kjo arritje historike na bën të gjithëve krenar. Le të fitojmë në play-off. Për të gjitha ëndrrat që i kemi pasë dikur. Për rrugëtimin e një shteti që s’ka me u ndalë kurrë. Për fanellën. Për flamurin. Për Kosovën”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova është pranë realizimit të ëndrrës për Botëror dhe ka përgëzuar ekipin. 

“Kosova afër ta shkruajë historinë. Ëndrra për Botëror është pranë. Krenar me ju!”, ka shkruar Haradinaj.

Për këtë fitore të Kosovës kanë reaguar në rrjetet sociale shumë përfaqësues të institucioneve, politikanë dhe figura të jetës publike, duke përgëzuar ekipin kombëtar për suksesin historik.