Silvinjo dhe kapiteni Gjimshiti: Ta shijojmë ndeshjen nesër edhe pse do të jetë e vështirë

Silvinjo dhe kapiteni Gjimshiti: Ta shijojmë ndeshjen nesër edhe pse do të jetë e vështirë

Sport November 15, 2025 - 18:54

Shqipëria do të luajë nesër në ora 18:00 në stadiumin “Air Albania” ndeshjen e fundit ndaj Anglisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës. Në konferencën zyrtare për media këtë pasdite, në stadiumin “Air Albania” dolën trajneri Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimshiti, njofton Federata e Futbollit e Kosovës, transmeton “Zëri”.

Në konferencën për media, trajneri Silvinjo vlerëesoi Anglinë si një nga ekipet më të forta në botë dhe favoritet për të fituar Kupën e Botës. Por ai beson te skuadra shqiptare dhe shpreson se kuqezinjtë do t’i shënojnë edhe një gol Anglisë në “Air Albania”. Ndër të tjera, tekniku brazilian foli edhe për atë çka ndodhi me Armando Brojën pas ndeshjes.

Image

Ndeshja me Anglinë, test për ndeshjet e play-off-it? – Kur flitet për Anglinë, ata janë në Botëror dhe janë ndër favoritët që ta fitojnë. Spanja, Brazili, Argjentina, Gjermania, Franca, janë nivel komplet tjetër. Ne jemi të lumtur që do të luajmë për herë të parë play-off në mars, por është krejtësisht ndryshe, nesër është një lojë ndryshe, do të jetë e vështirë. Kanë një trajner që luan mirë, ka 25-26, por edhe 40 lojtarë që luajnë në Premier Ligë dhe në disa nga vende të tjera. Ata kanë luajtur 7 ndeshje, kanë 21 pikë, nuk kanë pësuar asnjë gol. Pra flasim për një nga favoritët për Kupën e Botës.

Emocionet pas ndeshjes me Andorrën dhe çfarë ndodhi me Brojën – Ishte një ndeshje e vështirë me Andorrën, është shumë e vështirë me ta kur luajnë në fushën e tyre. Edhe Anglia i mposhti vetëm 1-0. Është shumë e vështirë, mbrohen mirë. E pritnim të luhej një ndeshje e tillë, ishte një rezultat e objektiv i madh. Bravo. Nëse më pyet për Armandon, fola me të. Si vetëm, por edhe me grupin gjithashtu. Ëështë zgjidhur si moment, nuk ka problem, por kam folur me të. Ishte pak i zhgënjyer pas ndeshjes. Ne do të luajmë në play-off, fitojmë 5 ndeshje, një moment i madh për të gjithë, jo vetëm për vendin, për të gjithë. Duhet t’i gëzohemi këtij momenti, po bëjmë shumë mirë, është momenti të jemi të lumtur dhe të shijojmë ndeshjen nesër. Të mundohemi ta shijojmë edhe pse është e vështirë.

A ndiheni i plotësuar që keni ezauruar gjithçka si trajner i skuadrës me këtë ekip? – Që nga fillimi kam thënë që jam shumë krenar që jam trajneri i Shqipërisë, është një periudhë e jashtëzakonshme, po e shijoj çdo ditë këtu. Është shumë e vështirë kur je trajner që sapo ke ardhur, nuk flet gjuhën, nuk kupton gjërat, por çdo gjë po shkon shumë mirë. Ndjehem si në shtëpi, ndaj jam i kompletuar, është shumë mirë, kemi bindur lojtarët të vrapojnë. Kur nuk pëson shumë, nuk është se kemi mbrojtësit më të mirë, por për organizimin e ekipit, të gjithë bëjnë shumë sakrifica në fushë. Ndaj jam shumë krenar i këtij ekipi dhe krenar për lojtarët që kam. Gjithashtu, pres një ndeshje të madhe nesër. Po, jam shumë i lumtur.

Pozicioni i Brojës? – Nuk e di nëse është një numër 9 apo jo, ai ka bërë disa ndeshje të mëdha me ne. Mendoj se kur luajti kundër Serbisë, bëri ndeshje të mirë. Në disa raste, disa lojtarë nuk kanë paraqitje të mirë, por kompensojnë balancën në ekip. Kur flet për ekipin, duhet të flasësh për ekuilibër. Ti mendon për të gjithë ekipin, balancimin në fazën ofensive dhe mbrojtëse, ai është një nga lojtarët që kemi. Sot kemi 25. Nëse shoh një si Uzuni, që mund të luajë të dy krahët. Edhe Broja nëse mund ta bëjë, e bëjmë. Nuk jemi të çmendur, nuk do ta luaj qendërmbrojtës. Por për mua nuk është problem. Ka raste kur nuk ke një ditë të mirë, paraqitje të madhe, mund të hyjë një tjetër e ndërron ndeshja. Nuk kam shumë për të thënë për këtë temë.

Çfarë do të thotë për Shqipërinë nëse i shënon nesër Anglisë dhe çfarë ndodhi me Brojën? – Kur flet për Anglinë, nuk pësojnë gola, sepse janë shumë të fortë dhe kanë një trajner të madh. Kur i sheh ndeshjet, mënyra se si lojtarët kthehen dhe mundohen të sulmojnë topin, është e pabesueshme, shumë të organizuar. U thosha lojtarëve që duhej të shihja disa herë ndeshjen dhe duhet t’i bësh pyetje vetes pse pëson dhe pse nuk pëson gol. Ata nuk i japin mundësi kundërshtarëve. Jo sepse qëndrojnë mbrapa, por sepse janë të zgjuar, ekip i madh, i organizuar. Janë të pabesueshëm, kam parë 3-4 ndeshje dhe janë vetëm gjëra të vogla që lejojnë për kundërshtarët. E përsëris, marr përsipër rrezikun, por besoj se do të jenë si një nga favoritët në Kupën e Botës për ta fituar, si Argjentina, Brazili, Franca, Spanja, Gjermania. Por kam luajtur kundër tyre, kam parë shumë ndeshje, skuadër e madhe, shumë e vështirë. Do ndeshemi nesër, do të bëjmë më të mirën, nëse e ndajmë barazim. (qesh) Po tallem. Sa për Brojën ishte i mërzitur që doli nga fusha pas 12 minutave në pjesën e dytë. Ne po luajmë shumë, po mundohemi të fitojmë ndeshjen, për të gjithë ishte ndeshja më e rëndësishme në atë moment. Por nuk e di pse u mërzit. Nuk është asnjë problem, fola me të, me skuadrën. Çdo gjë është zgjidhur.

A janë anglezët më të mirë se në ndeshjen e parë? – Për fat të keq po. Ishte ndeshja e parë e Tuhel. Shpresoj që të mos flas me të nesër. Padyshim do i flas, e ndjek prej kohësh. Po, për fat të keq se ishte ndeshja e parë e tij, ndaj tani po punon. Kur ndonjë trajner thotë më duhet kohë, është e vërtetë. Sepse në punën normale të duhet kohë që të bësh gjërat si do. Ndaj për fat të keq janë më të fortë se 6 muaj më parë, shifrat janë të pabesueshme. Por jemi të lumtur se do të ndeshemi me një nga më të mirët, do të mundohemi të bëjmë punën tonë. Lojtarët kanë besim, do të përgatitim diçka, të mundohemi të shënojmë, bëjmë një ndeshje të mirë. Nuk ia ke kurrë idenë çfarë mund të ndodhë, në 90 minuta në futboll mund të ndodhë gjithçka.

Çfarë të ka sjellë kjo punë përveç karrierës? – Nuk kam menduar kurrë që do bëhesha trajner. Gjithashtu si fillim ishe e mrekullueshme, në 2009 te Siti, Mançini më tha “Silvio, eja këtu, a do të bëhesh pjesëtar i stafit vitin tjetër?”. Ndoshta pa diçka te unë. Një vit më vonë nisa të punoja në stafin e Brazilit. E pëlqej, është pasion, por duhet të jem i sinqertë, një nga punët më të vështira në botë. Mundohesh të bësh diçka mirë, nëse fiton është mirë, nëse jo, nuk je një trajner i mirë, ndaj është shumë e vështirë. Ka shumë trysni, por e dua, më pëlqen, po e shijoj. Të jem i sinqertë, të luash futboll është e pabesueshme, por po mendon vetëm për veten. tani duhet të mendoj për 11 apo 25 lojtarë, ndaj është shumë e vështirë të lidh të gjithë. E dashuroj, është pasion, është pjesë e jetës, por mendoj se do ta bëj edhe për 10 vite.

Pesë lojtarët me kartonë të verdhë dhe rreziku për të luajtur në ndeshjet e play-off – Ne kemi një stërvitje dhe nesër do të marrim disa vendime për formacionin dhe të mendojmë shumë. Është hera e parë në jetë që kam një ndeshje të vështirë nesër por duhet të mendojmë për marsin, është shumë e vështirë. Është një rrezik, edhe rregulli nuk është i mirë, por duhet të mendoj. Është e vështirë dhe duhet ta mendoj, kam folur me stafin, nesër do të marrin vendime. Është e vështirë se do të përballemi me Anglinë, një nga më të mirët në botë. Por nesër do të marrim vendimet, shumë e vështirë.

Kapiteni Gjimshiti tha se skuadra do të hyjë në fushë për të dhënë maksimumin nesër, edhe pse e kanë siguruar kualifikimin për në play-off. Ndër të tjera, mbrojtësi kuqezi vlerësoi edhe ekipin anglez dhe elementet që kjo skuadër ka, ndërsa u shpreh se dëshiron që skuadra t’i shënojë golin e parë anglezëve.

Image

Ndeshja nesër, vitrinë për lojtarët e Kombëtares? – Sigurisht që do të jetë një ndeshje si të gjitha në kualifikuese. Ne do hyjmë e japim maksimumin, do japim gjithçka. Janë tre pikë, një ndeshje e rëndësishme. E kemi arritur play-off, por është një ndeshje e vështirë, me një kundërshtar të fortë. Do japim gjithçka që të vendosim në vështirësi atë ekip dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë.

Rekord 5 fitoret radhazi. A mund ta thyejmë nesër tersin e Anglisë? – Unë nuk i di statistikat, mendoj ndeshje për ndeshje, por sigurisht janë gjë e mirë kur i sheh apo dëgjon ato. Por siç e thashë, kemi një kundërshtar përballë që luan për të fituar Botërorin, për të shkuar në fazat finale. Ne kemi vetëbesim në këto moment dhe do japim gjithçka për t’i vënë në vështirësi. Por besoj që do të bëjmë një ndeshje të mirë nesër.

Sa e vështirë është të përballohet Kejn dhe anglezët që nuk kanë pësuar asnjë gol deri tani? – Vështirësia nuk është vetëm e imja të ndalim Kejn, të gjithë mbrojtësit në botë e kanë të vështirë. Por besoj se do luajmë e mbrojmë si skuadër e do të sulmojmë si skuadër. Nuk është një kundër një, duhen të gjithë, 11 lojtarët në fushë të japin gjithçka. Pse jo nesër të bëjmë ne një gol, nuk i dihet futbollit. Jemi të përqendruar me gjithë skuadrën, jo vetëm me Herri Kejn.

A keni nisur të mendoni për kundërshtarët e play-off-it? – Sigurisht mendojmë për play-off se është normale, edhe para ndeshjes me Andorrën e ke mendjen aty, kush mund të jetë kundërshtari. Në këtë pikë që jemi, do të përqendrohemi te Anglia, të shohim pastaj shortin se me kë do përballemi. Në këtë ndeshje mund të mësosh nga kombëtaret e forta me kualitet dhe të marrim gjithçka që kemi bërë në këtë kualifikim deri tani e pastaj të përqendrohemi të play-off.

Mbrojtja më e mirë e historisë së Shqipërisë? – Atë duhet ta gjykojnë njerëzit nga jashtë, unë për vete nuk mund ta them a është më i miri ky. Unë di të them që kemi një organizim shumë të mirë në këtë kombëtare. Nuk ka rëndësi kush luan, në fushë jemi të organizuar shumë mirë. Taktikisht kemi rritur kualitetin e duket në fushë që nuk është vetëm mbrojtja, por është e gjithë skuadra që mbron dhe kjo është më e rëndësishme.

Sa ndryshe është Kejn nga sulmuesit e tjerë dhe nëse Foden luan si 9-sh, sa ndryshe është kjo? – Ndryshimi është se Kejn lëviz shumë, nuk rri kurrë afër mbrojtjes, kthehet e merr topin, është teknikisht i fortë dhe ka kualitet, është e vështirë të luash kundër tij. Nëse luan Foden, cilësia do të jetë e njëjtë, por edhe ai është lojtar që lëviz shumë, duhet të kemi kujdes të flasim në fushë dhe bashkëpunojmë për t’i ndalur.