Policia e Shqipërisë me masa para ndeshjes me Anglinë

Policia e Shqipërisë me masa para ndeshjes me Anglinë

Sport November 15, 2025 - 18:34

Policia e Shtetit e Shqipërisë ka zbuluar planin e masave për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Anglisë të dielën në kualifikimet për Kupën e Botës.

Mes masave hyjnë sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës, menaxhimi i trafikut e të tjera.

“Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit ndërmjet ekipeve të Shqipërisë dhe Anglisë, që do të zhvillohet më datë 16 nëntor, në orën 18:00, në stadiumin ‘Air Albania’, duke u mbështetur dhe në përvojën pozitive për planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike gjatë aktiviteteve me përmasa ndërkombëtare, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

“Në këtë kuadër janë marrë masa për shoqërimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të Anglisë, nga aeroporti i Rinasit, në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas; organizimi i shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrolli i territorit në të gjithë qytetin e Tiranës; kryerja e kontrolleve të hollësishme në mjediset e stadiumit për shtetas të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të futen tifozët; sigurimi i rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës; menaxhimi i trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit”.

Ata kanë treguar se kanë vijuar bashkëpunimin me të gjitha institucionet tjera kontributi i së cilave mund të nevojitet në lidhje me këtë takim.

“Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, është bashkëpunuar me të gjitha institucionet që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, konkretisht me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, Shërbimin Zjarrfikës, Shoqëritë private të sigurisë (stjuardët dhe personeli i sigurisë),  Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë”.

“Kërkojmë mirëkuptimin e tifozëve që të paraqiten në hyrjen e stadiumit, duke filluar nga kjo orë, pasi për shkak të fluksit të tifozëve, pak para fillimit të ndeshjes, mund të humbasin mundësinë për të hyrë në stadium”.

“Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv, Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie, të cilët do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike, si dhe do t’ju ofrojnë ndihmë dhe informacion, në rast nevoje, në mënyrë që ky aktivitet të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit”.