Ndihmësi i Fodës: Deshëm ta ftonim Donis Avdijajn te Kosova, s’na la Federata

Ndihmësi i Fodës: Deshëm ta ftonim Donis Avdijajn te Kosova, s’na la Federata

Sport November 15, 2025 - 17:36

Robert Ibertsberger është ndihmës i selektorit të kombëtares të Kosovës, Franco Fodës.

Ai dikur ishte një lojtar mjaft i njohur, i cili kishte tetë paraqitje me kombëtaren e Austrisë, 200 ndeshje zyrtare dhe kishte fituar dy tituj në Bundesligën austriake.

Megjithatë, një dëmtim i rëndë në gju i dha fund karrierës së tij në moshën e re 27-vjeçare.

Sot, ish-mbrojtësi i djathtë e transmeton me sukses përvojën e tij te kombëtarja e Kosovës si asistent i trajnerit Franco Foda.

“Shteti ballkanik së fundmi u ngjit në Ligën e Kombeve, Grupi B, pavarësisht se ‘Verdhekaltrit’ u bënë anëtarë të UEFA-s dhe FIFA-s vetëm në maj të vitit 2016 dhe kanë marrë pjesë në gara zyrtare e kualifikime vetëm për nëntë vjet. Me këtë vrull, Ibertsberger dhe Foda po ndjekin një objektiv të madh: pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Kupën e Botës 2026 në Kanada, Meksikë dhe SHBA”, shkruan “Sportbusinessmagazin”, e cila ka publikuar ligjeratën e ndihmësit të Fodës.

Në kuadër të një ligjërate në kursin universitar të gazetarisë sportive, Ibertsberger foli – ndër të tjerash – për rastin e Donis Avdijajt.

Ai thotë se Foda e kishte në plane ta ftonte Avdijajn, mirëpo dyert për të i ka mbyllur Federata e Futbollit e Kosovës.

“Ai është i mirë dhe në parim do të ishte një opsion, por fatkeqësisht ka lënë shumë rrëmujë pas vetes. Ai ka luajtur gjashtë ndeshje për kombëtaren – por në një periudhë kur nuk mendonte qartë dhe i mungonte disiplina. Ai vetë ia ka mbyllur derën vetes. Ne do të donim ta grumbullonim, por federata e ka ndaluar”, ka thënë Ibertsberger.

Donis Avdijaj aktualisht është pjesë e Ëolfsberger në Bundesligën austriake.  

29-vjeçari këtë sezon ka tre gola në 12 ndeshje të zhvilluara.

Me Kosovën, anësori ka zhvilluar gjashtë ndeshje, duke shënuar edhe dy gola.