Sulmuesi slloven Vipotnik paralajmëron: Vetëm një Slloveni e bashkuar mund ta ndalojë Kosovën

Sulmuesi slloven Vipotnik paralajmëron: Vetëm një Slloveni e bashkuar mund ta ndalojë Kosovën

Sport November 11, 2025 - 22:05

Sulmuesi i ekipit të Swanseas, Zan Vipotnik, ka dhënë një deklaratë të qartë përpara sfidës vendimtare kundër Kosovës, duke theksuar se vetëm një Slloveni e bashkuar mund të shpresojë të marrë rezultat pozitiv në këtë ndeshje kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026.

Ai ka theksuar se përballja do të jetë e vështirë, pasi Kosova do të hyjë në fushë me motivim maksimal dhe dëshirë për të siguruar një rezultat historik.

“Pres që lojtarët e Kosovës të jenë shumë të motivuar, por e njëjta gjë vlen edhe për ne. Ndeshja do të tregojë se kush është më i mirë, por shpresoj se do të jemi ne”, ka thënë Vipotnik për Federatën e Futbollit të Sllovenisë.

Kosova aktualisht renditet e dyta në Grupin C me 7 pikë, tri më pak se Zvicra që kryeson grupin, ndërsa Sllovenia ka mbledhur vetëm 3 pikë.

Kjo ndeshje, që zhvillohet të shtunën në orën 20:45, ka rëndësi të madhe për fatin e kualifikimeve, pasi një rezultat pozitiv i Kosovës mund t’i siguronte matematikisht pjesëmarrjen në play-off dhe t’i afrohej mundësisë për kualifikim direkt në Kupën e Botës 2026.