“Kemi ardhur për fitore në Qipro” - Tovërlani flet për përballjen e radhës të dardanëve të rinj
Kosova U21 ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet vendimtare kualifikuese për Kampionatin Evropian 2027, që do t’i zhvillojë si mysafire ndaj Qipros dhe Finlandës.
Ekipi i drejtuar nga Afrim Tovërlani zhvilloi sot seancën e parë stërvitore në stadiumin “Dasaki Achnas”, ku atmosfera brenda grupit është e shkëlqyer.
Trajneri Tovërlani theksoi se në këtë grumbullim ka tri prurje të reja, duke nënvizuar se dyert e kombëtares mbeten gjithmonë të hapura për lojtarët e rinj që e meritojnë ftesën me paraqitjet e tyre në fushë.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Disa lojtarë të rinj janë bashkuar për herë të parë dhe janë integruar shpejt. Përzgjedhjet bëhen gjithmonë në bazë të meritave dhe performancës. Qipro është një kundërshtar cilësor, por ne kemi ardhur për rezultat pozitiv dhe do të japim maksimumin për ta arritur atë”, deklaroi Tovërlani.
Për Dren Zeqirin, ky është grumbullimi i parë me Kombëtaren U21, dhe ai shprehu lumturinë për pritjen e ngrohtë nga bashkëlojtarët.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi. Grupi më ka pritur ngrohtësisht dhe besoj se do të arrijmë një rezultat të mirë në këto ndeshje”, ka thënë Zeqiri.
Ndërkohë, Eliot Bujupi theksoi rëndësinë e madhe të ndeshjeve kualifikuese për çdo futbollist të ri dhe shtoi se skuadra është e përgatitur dhe e motivuar për rezultate pozitive:
“Është shumë e veçantë të luash në një ndeshje kualifikuese. Besojmë se me përkushtim mund të arrijmë objektivin tonë për t’u kualifikuar në fazën ‘play-off’ apo edhe në kampionatin evropian. Kemi analizuar ndeshjen e fundit ndaj San Marinos dhe në ditët në vijim do të analizojmë edhe Qipron”, u shpreh Bujupi.
Ndeshja ndërmjet Qipros dhe Kosovës U21 do të zhvillohet të premten, më 14 nëntor, në orën 18:00.