Foda: Kemi më shumë alternativa, ka ndryshuar sistemi
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka theksuar rëndësinë e ndeshjes së ardhshme dhe të kualifikimit në fazat pasuese të turneut.
Ai ka bërë të ditur se ekipi është i përgatitur dhe ka lojtarë të rikuperuar që mund të bëjnë diferencën, por duke rikujtuar të gjithë se ende nuk kemi arritur atë që duam, kualifikimin në Botëror.
Foda tha se ka ndryshuar sistemi me rikthimin nga lëndimet të futbollistëve, si Amir Rrahmani, Lumbardh Dellova e Baton Zabërgja.
“Akoma nuk kemi arritur atë që dëshirojmë. Në ndeshjen e radhës është me rëndësi të triumfojmë, të shkruajmë histori duke u kualifikuar tutje. Kemi analizuar lojën e Sllovenisë. Ka ndryshuar pak sistemin. Ne jemi më të përgatitur, kemi më shumë mundësi dhe alternativa. Janë kthyer Rrahmani, Dellova dhe Zabërgja. Së pari synojmë Play-Off-in, ndërsa për më shumë shohim tutje", tha Foda gjatë konferencës për media.
Ai shtoi se fokus i ekipit duhet të jetë te dy ndeshjet e ardhshme, pasi janë tejet të rëndësishme.
“Fokusin komplet duhet ta kemi në dy ndeshjet e radhës. Në futboll nuk vlen e kaluara, por e tashmja. Për ne është me rëndësi ta kemi parasysh se mund të dalim të parët, por edhe të mbesim të tretë".
"Në ndeshjet e kaluara kemi treguar vetëbesim dhe kemi luajtur mirë, por në futboll duhet gjithnjë të tregohemi të përkushtuar dhe të punojmë fort. Për ne është me rëndësi që të shfaqim më të mirën në këto ndeshje", tha Foda.