Foda flet për rikthimin e Rrahmanit, por edhe i premton minuta më shumë Zhegrovës

Foda flet për rikthimin e Rrahmanit, por edhe i premton minuta më shumë Zhegrovës

Sport November 10, 2025 - 12:28

Kombëtarja e Kosovës ka filluar grumbullimin për dy ndeshjet e muajit nëntor, ku do të përballet me Slloveninë dhe Zvicrën.

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka folur për rikthimin e Amir Rrahmanit në ekipin kombëtar pas lëndimit të gjatë, por edhe për formën e Edon Zhegrovës.

Foda ka deklaruar për Zhegrovën se pasi ka filluar të luajë më shumë te Juventusi, do të ketë minuta më shumë edhe te Kosova.

“Amir Rrahmani ka qenë jashtë për dy muaj për shkak të lëndimit. Tani është rikthyer dhe është shëruar plotësisht. Javën e kaluar ka luajtur tri ndeshje, por duhet të rigjenerohet, të përshtatet me ekipin dhe të jetë gati për ndeshjet e ardhshme".

"Sa i përket Zhegrovës, ai po fiton më shumë minuta lojë, që është shumë e rëndësishme për t’u rikthyer në formën fizike optimale. Këtë e kemi parasysh. Tani kemi shumë lojtarë në dispozicion dhe të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Pas minutave të fituara në skuadrën e tij, do të mundohemi t’i sigurojmë edhe më shumë minuta se në ndeshjet e kaluara", tha Foda. /Telegrafi