Dëmtohet murali i Alexander-Arnold nga tifozët e Liverpoolit para ndeshjes ndaj Real Madridit
Ylli i Real Madrid, Trent Alexander-Arnold, vendosi t’i japë fund një periudhe gati dydekadëshe në Angli këtë verë, aty ku u rrit si tifoz i Liverpoolit dhe fitoi çdo trofe të mundshëm me klubin e fëmijërisë së tij.
Pas refuzimit për të rinovuar kontratën mes interesimit nga Real Madrid, mbrojtësi anglez hyri në muajin e fundit të marrëveshjes së tij me “Të Kuqtë” dhe Los Blancos arritën një marrëveshje prej vetëm 10 milionë eurosh për transferimin e tij.
Megjithatë, largimi i tij nuk u prit mirë nga të gjithë. Vendimi i Alexander-Arnold ndau opinionin në Liverpool, ku ai u përball me fishkëllima dhe kritika të ashpra në muajt e fundit si lojtar i klubit.
Në prag të përballjes së sotme në Ligën e Kampionëve mes Liverpool-t dhe Real Madrid, një murale e Alexander-Arnoldit, pikturuar pas triumfit të Liverpool në Ligën Premier, është shkatërruar.
Muralja mbante mbishkrimin: "Jam thjesht një djalë i zakonshëm nga Liverpooli, ëndrra e të cilit është bërë realitet", por të martën në mëngjes u pa e mbuluar me bojë të bardhë, ndërsa tani dikush ka shtuar edhe fjalët: "Lamtumirë mi".
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, u shpreh se, ndonëse nuk mund të flasë në emër të tifozëve, ai do ta mirëpriste ngrohtësisht Alexander-Arnoldin, duke theksuar se ka vetëm kujtime pozitive për të gjatë kohës së tij në “Anfield”.
Nga ana tjetër, trajneri i Real Madrid, Xabi Alonso, që në të kaluarën ka bërë të njëjtin kalim si lojtar, pranoi se rasti i Alexander-Arnold është më i veçantë, pasi ai është rritur në Liverpool.
Sidoqoftë, Alonso tha se edhe për të ndeshja do të kishte ngarkesë emocionale, por i bëri thirrje lojtarit të tij “ta shijojë momentin”.