De Bruyne i nënshtrohet operacionit, thotë rruga drejt rikuperimit ka nisur
Mesfushori belg Kevin De Bruyne, aktualisht pjesë e Napolit, ka reaguar për herë të parë pas dëmtimit që pësoi dhjetë ditë më parë, menjëherë pas golit që shënoi me penallti kundër Interit.
Ylli i Napolit ka ndarë me ndjekësit e tij në Instagram një përditësim në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore.
“Përshëndetje të gjithëve. Siç tashmë e dini, do të më duhet të qëndroj larg fushave për një periudhë të gjatë. Lajmi i mirë është se operacioni përfundoi me sukses dhe gjithçka shkoi perfekt. Tani ka nisur faza e rikuperimit tim. Faleminderit të gjithëve për mesazhet dhe mbështetjen,” shkroi De Bruyne në rrjetet sociale.
Sipas raportimeve të afërta me klubin, De Bruyne, i cili iu bashkua Napolit gjatë verës nga Manchester City, pritet të mungojë për rreth tre deri në katër muaj. Mësohet se mesfushori ka pësuar një këputje të gradës së lartë të bicepsit femoris në kofshën e djathtë.
Mjekët janë optimistë për rikthimin e tij në pranverë, në kohë për të qenë gati për Kupën e Botës, ndërsa Napoli shpreson ta ketë plotësisht në dispozicion për fazën vendimtare të sezonit.