Ylli i Barcelonës “shpërthen” në rrjetet sociale pasi u la jashtë formacionit më të mirë të vitit 2025
Raphinha ka reaguar pas përjashtimit të tij nga formacioni më i mirë i vitit 2025 sipas FIFPro, duke publikuar një sërë postimesh në rrjetet sociale, përfshirë edhe një grafik që paraqet arritjet e tij gjatë sezonit 2024/2025.
Sulmuesi 28-vjeçar ishte një nga lojtarët më të spikatur të Barcelona-s sezonin e kaluar, duke luajtur një rol kyç në fitimin e tre trofeve si La Liga, Kupa e Mbretit dhe Superkupa e Spanjës.
Në total, Raphinha realizoi 34 gola në 57 ndeshje në të gjitha garat.

Megjithë këto paraqitje mbresëlënëse, reprezentuesi brazilian nuk arriti të përfshihej në ekipin më të mirë të vitit, i cili u përzgjodh nga më shumë se 26,000 futbollistë profesionistë nga 68 vende të ndryshme.
Çdo lojtar votoi për tre futbollistë në katër kategori pozicionesh – portier, mbrojtës, mesfushor dhe sulmues.
Ekipi përfundimtar u përbë nga një portier, tre mbrojtës, tre mesfushorë dhe tre sulmues, ndërsa vendi i njëmbëdhjetë iu dha lojtarit më të votuar në përgjithësi nga fusha.
Pas mos-përfshirjes së tij, Raphinha publikoi më shumë se 15 postime duke theksuar disa nga arritjet e tij personale në sezonin e kaluar.

Ai vuri në dukje statistikat e tij të larta me gola dhe asistime për Barcelonën, si dhe faktin që ishte golashënuesi i përbashkët më i mirë në Ligën e Kampionëve me 13 gola.
Gjithashtu, ai theksoi se kishte fituar edhe çmimin “Lojtari i Sezonit në La Liga” për edicionin 2024/2025, duke nënvizuar bindshëm se kishte pasur një sezon të jashtëzakonshëm në nivel individual dhe kolektiv.
Formacioni më i mirë i vitit 2025 sipas FIFPro: Donnarumma, Hakimi, Van Dijk, Mendes, Palmer, Bellingham, Pedri, Vitinha, Yamal, Mbappe, Dembele.