Luciano Spalletti pritet të emërohet trajner i ri i Juventusit

Luciano Spalletti pritet të emërohet trajner i ri i Juventusit

Sport October 29, 2025 - 18:05

Trajneri i njohur italian, Luciano Spalletti, pritet të rikthehet në Serie A, pasi sipas mediave italiane ai ka arritur marrëveshje me Juventus për të zëvendësuar Igor Tudor, i shkarkuar së fundmi pas rezultateve të dobëta.

Spalletti pritet të nënshkruajë një kontratë të shkurtër deri në fund të sezonit, me mundësi vazhdimi në rast se Juventus arrin të sigurojë kualifikimin në Champions League.  

“Zonja e Vjetër” e ka nisur mirë sezonin, por tashmë ka hyrë në një krizë rezultatesh, duke mos fituar asnjë nga tetë ndeshjet e fundit. Humbja e fundjavës ndaj Lazio ka qenë pika e fundit që i shtyu drejtuesit e klubit të vendosnin për ndryshime.

Aktualisht, Juventus renditet në vendin e tetë në Serie A, por ndodhet vetëm tri pikë larg vendit të katërt, që siguron pjesëmarrjen në Champions League. 

Spalletti, i cili sezonin 2022/23 e kishte udhëhequr Napoli drejt titullit kampion pas më shumë se tri dekadash, nuk ka qenë në drejtim të ndonjë skuadre që nga periudha e shkurtër me Kombëtaren e Italisë.

“Unë nuk kam pasur kontakt me asnjë skuadër italiane deri tani, por dua të kthehem. Igor Tudor është një njeri me vlera dhe profesionist i vërtetë. Kushdo që e zëvendëson, do të marrë një skuadër të përgatitur mirë”, ka thënë tekniku italian. 

Gjatë karrierës së tij, Spalletti ka drejtuar disa klube të njohura si Roma, Inter, Zenit St. Petersburg, Empoli, Sampdoria dhe Udinese.