Drita mund Ferizajn, Llapi mposht Drenicën në një sfidë dramatike
Kanë përfunduar dy ndeshjet e fundit të xhiros së dhjetë në Superligën e Kosovës në futboll.
Drita ka vazhduar me fitore, duke mposhtur Ferizajn me rezultat 3-1 në një ndeshje ku gjilanasit e treguan superioritetin në pjesën e dytë.
Ndeshja nisi me një surprizë, kur Ardit Iljazi realizoi një autogol në minutën e 16-të, duke i dhënë epërsinë Dritës 1-0. Megjithatë, mysafirët arritën të barazonin rezultatin në minutën e 38-të, falë një autogoli tjetër të Egzon Bejtullait, dhe pjesa e parë u mbyll 1-1.
Në pjesën e dytë, Drita u tregua më e fortë në sulm. Egzon Bejtullai shënoi këtë herë me kokë për 2-1, ndërsa talenti ganez Mike Artur vulosi fitoren përfundimtare me golin e tretë në fund të takimit.
Me këtë fitore, Drita ngjitet në vendin e tretë në tabelë me 17 pikë. Ndeshjen e radhës ata do ta luajnë në udhëtim ndaj Drenicës, ndërsa Ferizaj mbetet në vendin parafundit me 10 pikë dhe do të përballet me Prishtinën e Re.
Ndërkaq, Llapi ka shënuar fitore dramatike me rezultat 4-3 ndaj Drenicës në një ndeshje të mbushur me rikthime të shumta të rezultatit.
Tre pikët mbetën në Podujevë pas një sfidë të jashtëzakonshëm.
Ndeshja nisi me një gol të shpejtë nga Ilir Blakcori për 1-0 në minutën e 3-të, por Kreshnik Uka barazoi vetëm dy minuta më vonë. Në minutën e 20-të, Gnapi shënoi për 2-1, ndërsa Krasniqi riktheu baraspeshën në 2-2 para përfundimit të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Drenica kaloi në avantazh me golin e Kreshnik Ukës në minutën e 55-të, por rikthimi i madh i llapjanëve nuk vonoi. Edon Sadriu barazoi në minutën e 77-të, ndërsa Hyseni vulosi fitoren përfundimtare 4-3 në minutën e 87-të.
Me këtë fitore, Llapi ngjitet në vendin e pestë në tabelë me 13 pikë, ndërsa Drenica mbetet e shtata me 11 pikë.