Ylli i Barcelonës pranon se lojtarët nuk ishin të kënaqur me idenë për të luajtur në Miami

Ylli i Barcelonës pranon se lojtarët nuk ishin të kënaqur me idenë për të luajtur në Miami

Sport October 22, 2025 - 23:42

Mbrojtësi i Barcelonës, Pau Cubarsi, ka pranuar se ai dhe shokët e skuadrës nuk ishin dakord me idenë për të zhvilluar një ndeshje të La Ligës në Miami këtë dhjetor.

Gjigantët katalanas do të udhëtonin për të përballuar Villarrealin në ndeshjen e fundit të vitit në kampionat, por ajo tani do të zhvillohet në “La Ceramica”, pasi organizatorët Relevent vendosën të anulojnë planin të martën në mbrëmje.

Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta, Villarreal është shprehur i pakënaqur me mënyrën si e menaxhoi situatën La Liga, kjo e fundit është e zhgënjyer nga anulimi, ndërsa Real Madridi është i kënaqur që plani nuk do të realizohet.

Zëvendëskapiteni i Barcelonës, Frenkie De Jong, deklaroi javën e kaluar se ishte kundër zhvillimit të ndeshjes jashtë Spanjës, dhe Cubarsi i tha Diario AS se kjo ishte ndjesia e përgjithshme brenda ekipit.

“Ishim të gjithë pak kundër idesë për të luajtur jashtë vendit, sepse kampionati duhet të luhet këtu. Si futbollist, nuk më takon të përfshihem shumë në këtë çështje”, u shpreh ai.

Cubarsí foli gjatë një eventi promovues të Barcelonës pas marrëveshjes me kompaninë Uber.

Vëmendja kryesore gjatë eventit ishte te El Clasico, që luhet këtë fundjavë në “Santiago Bernabeu”. Cubarsi u pyet për çelësin e një fitoreje ndaj Real Madridit.

“Duhet të vazhdojmë me filozofinë tonë. Vitin e kaluar funksionoi mirë. Tani ekipet janë zhvilluar. Duhet të rregullojmë disa gjëra që do na ndihmojnë të përmirësohemi".

“Ne jemi të përqendruar vetëm te loja e mirë dhe te marrja e tre pikëve”, përfundoi spanjolli.