
Terzicu refuzon tri oferta ndërkombëtare, pret mundësinë e duhur për rikthim
Ish-trajneri i Borussia Dortmund, Edin Terzic, nuk ka ndërmend të rikthehet me ngut në stolin e ndonjë skuadre, duke marrë kohën e nevojshme për të zgjedhur me kujdes hapin e radhës në karrierën e tij.
Sipas raportimeve nga SkySports, Terzicu ka refuzuar tri oferta konkrete nga klube të huaja gjatë muajve të fundit.
Bëhet fjalë për interes serioz nga AS Monaco, Everton dhe Real Sociedad, por Terzicu i ka refuzuar të gjitha, pasi, ai nuk është bindur nga projektet sportive që i janë paraqitur.
Që nga largimi nga Dortmund në verën e vitit 2024, Terzicu është pa ekip, por qëndron aktiv në vlerësimin e mundësive të reja.
Ai vijon të jetë në listën e ngushtë të Juventusit, në rast se klubi italian vendos të shkarkojë trajnerin aktual, Igor Tudor.
Emri i Terzic përmendet së bashku me atë të Marco Rose si kandidatë potencialë për stolin bardhezi.
Një rikthim në Bundesliga nuk përjashtohet gjithashtu, thuhet se Bayer Leverkusen e kishte konsideruar Terzicun si pasues të mundshëm të Erik ten Hag më herët këtë sezon, përpara se të vendoste të emëronte Kasper Hjulmand në krye të skuadrës.
Për momentin, Terzicu po qëndron në pritje të një projekti që përputhet me ambiciet e tij, ndërsa mbetet një nga emrat më të vlerësuar në tregun e trajnerëve evropianë.