
Nottingham Forest shkarkon trajnerin pas 39 ditëve në krye
Trajneri Ange Postecoglou është shkarkuar nga posti i trajnerit të Nottingham Forest pas vetëm tetë ndeshjeve në drejtim të skuadrës. Vendimi erdhi menjëherë pas humbjes 3-0 ndaj Chelseat në “City Ground”, të shtunën.
Trajneri australian, 60-vjeçar, u emërua më 9 shtator, pas largimit të Nuno Espirito Santos, i cili më pas mori drejtimin e West Ham United pas ndarjes me Graham Potterin.
Nën drejtimin e Postecoglout, Forest u eliminua nga Kupa e Ligës pas humbjes ndaj skuadrës së Championshipit, Swansea City dhe mori vetëm një pikë në pesë ndeshje të Ligës Premier – rezultat që e la ekipin në vendin e 17-të, vetëm një pikë mbi zonën e rënies.
Në total, ai regjistroi gjashtë humbje dhe dy barazime në tetë takime, që ishte nisja më e dobët e një trajneri të përhershëm në historinë 100-vjeçare të klubit.
Forest zhvilloi nën drejtimin e tij edhe rikthimin në arenën evropiane pas 30 vitesh, duke barazuar 2-2 me Real Betis dhe humbur 3-2 ndaj Midtjylland në fazën e grupeve të Ligës së Evropës. Gjatë kësaj periudhe, një pjesë e tifozëve në “City Ground” i drejtoheshin me brohoritjet “do të shkarkohesh në mëngjes”, në disa ndeshje radhazi.
Kur Postecoglou u emërua, pronari i klubit Evangelos Marinakis e cilësoi atë “një person fantastik për të ndihmuar Forest në rrugëtimin drejt objektivave të mëdha”.
Australiani erdhi te Forest pas largimit nga Tottenham Hotspur në verë. Ai kishte kaluar dy sezone në Londrën Veriore, ku në sezonin e parë përfundoi në vendin e pestë, ndërsa në të dytin fitoi Ligën e Europvs – trofeu i parë i Tottenham pas 17 vitesh. Megjithatë, forma e dobët në kampionat, me 22 humbje gjatë sezonit, e detyroi klubin ta shkarkonte në qershor pasi përfunduan në vendin e 17-të në tabelë.
Me mbi tre dekada eksperiencë, Postecoglou ka drejtuar më parë edhe kombëtaren e Australisë (2013–2017), me të cilën mori pjesë në Botërorin “Brazil 2014”. Ai ka fituar tituj kampion në Japoni me Yokohama F. Marinos dhe në Skoci me Celtic, përpara se të kalonte te Tottenham në vitin 2023.