Zyrtare: Franco Foda rinovon kontratën me Kosovën

Zyrtare: Franco Foda rinovon kontratën me Kosovën

Sport October 17, 2025 - 10:59

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se përzgjedhësi Franco Foda ka rinovuar kontratën e tij, transmeton “Zëri”.

Lajmi është konfirmuar nga vetë Federata, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Me kontratën e re, Foda do të jetë në krye të “Dardanëve” edhe për dy vjetët e ardhshëm.

Kësisoj, Foda do t’i prijë Kombëtares së Kosovës deri në fund të vitit 2027, me mundësi vazhdimi automatikisht në rast të kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit 2028. /Zëri

Postimi i plotë (pa ndërhyrje):

Zyrtarizohet marrëveshja e re me përzgjedhësin Franco Foda

Federata e Futbollit e Kosovës ka kënaqësinë të njoftojë se ka zyrtarizuar edhe formalisht marrëveshjen e mëhershme me përzgjedhësin Franco Foda për të vazhduar bashkëpunimin edhe për 2 vjet.

Kontrata që konfirmon qëndrimin e Fodës në krye të ekipit kombëtar është nënshkruar zyrtarisht nga presidenti Agim Ademi dhe përzgjedhësi Franco Foda, ditën e parë të grumbullimit të ekipit kombëtar në muajin tetor, përkatësisht më datën 6, duke formalizuar edhe në mënyrë zyrtare marrëveshjen e arritur paraprakisht.

Me marrëveshjen e re, Foda do t’i prijë Kombëtares së Kosovës deri në fund të vitit 2027, me mundësi vazhdimi automatikisht në rast të kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit 2028.

Franco Foda ka marrë drejtimin e ekipit kombëtar më 17.02.2024 dhe që nga ajo periudhë ka udhëhequr kombëtaren tonë në 17 ndeshje deri tani, duke arritur: 11 fitore, 2 barazime (duke përfshirë atë me Rumaninë 0:0) dhe ka pësuar 4 humbje.