
Ligji i Sponsorizimit, flet iniciatori te Prishtina: Shqipëria duhet “të kopjojë” Kosovën
Ligji i Sponsorizimit vijon të mbetet peng në Shqipëri. Ish-presidenti i Klubit të Prishtinës, Remzi Ejupi, propozon një ligj të përafërt me atë të Kosovës për sa i përket sponsorizimit në sport.
Ejupi ka folur për “Panorama Sport”, si një ndër iniciatorët në Kosovë ku klubet kanë përfituar ndër vite.
Fjala e Remzi Ejupit:
Shqipëria po ecën mjaft mirë me futboll dhe ka bërë hapa përpara. Mirëpo, për të pasur qëndrueshmëri financiare, Ligji për Sponsorizime do të ishte një shpëtim për sportin, më konkretisht për futbollin shqiptar. Ne në Kosovë e kemi zgjidhur këtë çështje falë një pune të palodhshme, përkundër zvarritjes dhe pritjes prej shumë vitesh. Ishte viti 2016 kur e nisëm këtë mision, i cili në fund pati sukses të jashtëzakonshëm. Së bashku me Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, i përbërë nga Nait Hasani, Bekim Haxhiu, Shpejtim Bulliqi, Ismajl Kurteshi, Teuta Haxhiu, Shukrije Bytyqi dhe Mufera Sinik, unë si kryetar i klubit më të madh në Kosovë, FC Prishtina, e morëm rrugën drejt Frankfurtit për ta marrë si model Gjermaninë se si duhet vepruar dhe se si funksionon ky ligj në këtë vend të zhvilluar.

Atje patëm takime me deputetë, udhëheqës të sportit gjerman, biznese gjermane dhe zyrtarë të Ministrisë së Financave gjermane, prej të cilëve morëm këshilla, modalitete dhe përvoja se si ta bëjmë edhe Kosovën me një ligj të mirë dhe në interes të shpëtimit dhe zhvillimit të sportit. E pas tri vjetësh pritjeje, më saktësisht në qershor të vitit 2019 Kuvendi i Kosovës votoi pro Ligjit për tatim mbi të ardhurat në Korporata, i cili e kompletoi dhe e mundësoi implementimin e Ligjit për Sponsorizim.
Dhe, ne arritëm që në Kosovë ta ndjekim praktikën e njërit prej shteteve me sportin më të zhvilluar – Gjermaninë, duke e pasur Ligjin për Sponsorizim më të mirë në rajon me plot 30 për qind zbritjeje nga tatimi në fitim. Më saktësisht, sipas këtij ligji, sponsorizuesve në sport do t’u njihen zbritjet prej 30 për qind të tatimit në fitim. Këso lehtësirash gëzojnë edhe sponsorizuesit në sportin gjerman. Ky ligj i ka dhënë shpresë të madhe avancimit të sportit kosovar, i cili edhe ashtu është promovuesi kryesor i Kosovës në arenën ndërkombëtare, ani pse ballafaqohet me probleme nga më të ndryshmet, të cilat zanafillën e kanë pikërisht te kriza financiare dhe mungesa e madhe e donatorëve, të cilët nuk kishin pse të sponsorizonin në sport pa kurrfarë kompensimi.
Nga ky ligj, nga ajo kohë përfituan klubet sportive dhe federatat, prandaj unë ndihem krenar që isha iniciator i këtij projekti madhor. Ndihem krenar që ia lash vendit tim këtë trashëgimi, e cila do të përcillet brez pas brezi dhe ndër gjenerata. Dhe, duke e pasur parasysh se Shqipëria nuk e ka ende Ligjin për Sponsorizim, i inkurajoj institucionet shtetërore që ta marrin iniciativën dhe ta shpëtojnë sportin me këtë Ligj. Duke e ndjekur Ligjin gjerman, të cilin po e implementon tash e sa vite edhe Kosova, klubet shqiptare do të merrnin frymë më lirshëm.

Përmes Ligjit për Sponsorizim do të afroheshin më shumë sponsorë, natyrisht, duke uruar që ky ligj të mos keqpërdoret nga palët. Sa më shpejt të veprohet, aq më mirë do të jetë për futbollin dhe sportin shqiptar në përgjithësi. Unë jam në dispozicionin tuaj që të ndihmoj sa të kem mundësi dhe dijeni, pa e kursyer aspak veten, pasi edhe Shqipëria është vendi im, njëjtë si Kosova.
Me përulje,
ju faleminderit!