Florentina Kallaba do të ndajë drejtësinë në Kampionatin Botëror të Vajzave në Futsall

Florentina Kallaba do të ndajë drejtësinë në Kampionatin Botëror të Vajzave në Futsall

Sport October 16, 2025 - 11:03

Gjyqtarja kosovare, Florentina Kallaba, ka arritur suksesin më të madh në karrierën e saj, pasi është përzgjedhur në mesin e tetë gjyqtareve ndërkombëtare të UEFA-s që do të ndajnë drejtësinë në Kampionatin Botëror të Vajzave në Futsall, i cili do të mbahet në Filipine.

Ajo njëherësh shënon suksesin më të madh deri më tash të gjyqtarëve kosovar, pasi iu besua ndarja e drejtësisë në garën më të madhe botërore në futsall.

Përzgjedhja e saj është rezultat i profesionalizmit, përvojës dhe përkushtimit që ajo ka treguar ndër vite në ndeshjet e kampionatit vendor, por edhe në ato ndërkombëtare.

Florentina Kallaba njihet për autoritetin në fushën e lojës, për korrektësi në drejtësi dhe qetësi, vlera këto që e kanë bërë një prej gjyqtareve më të respektuara në Evropë.

Me përkushtimin e saj ndaj këtij profesioni ajo është një frymëzim për vajzat dhe gratë në sport, duke dëshmuar se me punë të palodhur dhe pasion, çdo synim mund të arrihet.

Përzgjedhja e Kallabës për Kampionatin Botëror është dëshmi e punës dhe dedikimit të FFK-së si institucion që kontribuon në rritjen e cilësisë së ndarjes së drejtësisë në vendin tonë. /telegrafi

Image\