
Hysaj i merr rekordin Canajt, lojtari me më shumë ndeshje me fanellën e Kombëtares
Ishte ky momenti kur nisi gjithçka.
Elseid Hysaj u hodh në fushë nga Xhani De Biazi në 2 shkurt 2013, duke bërë debutimin në kombëtare në moshën 19 vjeç e 4 ditë.
Që nga ajo miqësore fatkeqe, humbur 1-2 me Gjeorgjinë, në mes të shiut në “Qemal Stafa”, kanë kaluar më shumë se 12 vjet e gjysmë, dhe historia vazhdon.
Pikërisht, mbrëmjen e kësaj të martë, në “Qemal Stafën” e shkatërruar dhe të rindërtuar si “Arena Air Albania” apo “Arena Kombëtare”, Hysaj I dha historisë së tij përmasat e legjendës.
Mbrojtësi me origjinë shkodrane vendosi rekordin e ri të ndeshjeve me ekipin përfaqësues, me 94, duke lënë pas kulmin e ish-kapitenit Lorik Cana.
Një arritje për të qenë veçanërisht krenar.
A ja folur mbrojtësi I Lacios me ish-rekordmenin Lorik Cana?
Futbollisti që është ende I ri për moshën e futbollit, 31 vjeç, ka kaluar gjithçka me fanelën kuqezi.
Në 94 ndeshje, ai është autor I dy golave, një kundër Islandës në fitoren 4-2 në “Elbasan Arenë” në 10 shtator 2019, duke qenë kapiten në duelin e eliminatoreve të Kampionatit Europian.
Tjetri, në triumfin 5-0 kundër San Marinos, këtë herë pa shirit, në sfidën e eliminatoreve të Kupës së Botës në 8 shtator 2021 në “Air Albania”.
Po ashtu, ka shërbyer 7 asistë, duke qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm në skemat e trajnerëve të kombëtares, që nga De Biazi, tek Panuçi, Reja e tani Silvinjo.
Një kulm I madh në karrierë ishin finalet e Kampionatit Europian të vitit 2016 në Francë, kur luajti si titullar, duke u dalluar sidomos ndaj Francës.
Pikërisht, kundër francezëve dha një nga asistët e tij në miqësoren e luajtur në stadiumin e Renës në nëntor 2015, në barazimin 1-1 falë golit të Mërgim Mavrajt.
Natyrisht, Hysaj ka kaluar të mira e të këqija në ekipin përfaqësues.
Disa herë u vu në diskutim, për shkak të humbjes së formës, dhe pati thirrje që në krahun e djathtë të mbrojtjes të luante Ivan Balliu, ylli I Rajo Vajekanos në La Ligën e Spanjës.
Sidoqoftë, sot ai është titullar I padiskutueshëm dhe me meritë, ndërsa në të dyja ndeshjet ndaj Serbisë ishte ndër më të mirët në fushë.
Ndoshta, mund të arrijë një tjetër kulm të madh në karrierë, finalet e Kampionatit Botëror, e po ashtu numrin e 100 ndeshjeve me kombëtaren, që besohet do ta provojë vitin e ardhshëm. /abcnews