
Ronaldo i qetëson tifozët portugezë: Do të kualifikohemi në Botëror në nëntor
Portugalia e lëshoi mbrëmë mundësinë që të kualifikohej zyrtarisht në Botërorin 2026.
Tifozët portugezë mbetën të dëshpëruar në Alvalade pasi ekipi i tyre kombëtar ishte shumë afër që ta priste një biletë për në turneun që do të mbahet vitin tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë.
Sidoqoftë, përkundër barazimit me Hungarinë, 2:2, i cili arriti në momentet e fundit pas golit të Szoboszlai, Cristiano Ronaldo i ka qetësuar tifozët, duke i siguruar ata se “Seleçao das Quinas” do ta sigurojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës në muajin e ardhshëm.
“Jemi gjithnjë e më afër objektivit tanë. Forca, Portugali!”, shkroi 40-vjeçari në rrjetet sociale.
Futbollisti i Al Nassrit ishte protagonist mbrëmë, duke i realizuar dy gola për Portugalinë për ta ngritur në 948 numrin e golave në karrierë.
Pikërisht mbrëmë, ky dygolësh ia mundësoi atij që të bëhet golashënuesi më i mirë në histori të kualifikimeve të Botërorit, pasi e mposhti futbollistin Carlos Ruiz.
“Nuk është një sekret që ta përfaqësoj vendin tim do të thotë shumë për mua dhe pikërisht për këtë jam mjaft krenar që e bëra këtë arritje unike për Portugalinë”, shkroi tutje “CR7”.
“I falënderoj të gjithë njerëzit që më kanë ndihmuar që të arrij deri këtu. Do të shihemi në nëntor për ta mbyllur fazën kualifikuese të Botërorit”, përfundoi ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit.