
Rashford: Largimi nga Man Utd te Barcelona rriti shanset e mia për në Kupën e Botës
Marcus Rashford thotë se e ka pasur të vështirë të jetë në formën e tij më të mirë rregullisht për shkak se ka qenë në një “mjedis të paqëndrueshëm për një kohë shumë të gjatë”, por ai pret që huazimi i tij nga Man Utd te Barcelona t’i rrisë perspektivat e tij për në Kupën e Botës.
Sulmuesi ra jashtë favorit në Old Trafford nën drejtimin e Ruben Amorim, por pati një periudhë pozitive në Aston Villa në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar, me gjashtë gola të përfshirë në 14 paraqitje në Premierligë dhe Ligën e Kampionëve.
Rashfordi ishte jashtë formacionit të Anglisë për një vit nga marsi 2024, duke humbur Euro, por u rikthye në mars 2025 pas formës së tij të mirë me Villan.
“Ndjej sikur kam qenë në një mjedis të paqëndrueshëm për një kohë shumë të gjatë”, tha ai për ITV Sport.
“Është edhe më e vështirë të jesh i qëndrueshëm atëherë. Padyshim që dua të jem në formën time më të mirë. Jo ndonjëherë, por sa më shpesh të jetë e mundur”.
I pyetur nëse transferimi te Barcelona ia përmirësoi shanset për të shkuar në Kupën e Botës, ai tha: “Po. Po”.
Pastaj i pyetur nëse do të kishte qëndruar te Man Utd, a do të zgjidhej për Anglinë, ai tha: “Nuk do të kisha luajtur! Pra, jo, nuk mendoj se do të isha zgjedhur”. /Zëri