
Thellohet kriza e lëndimeve tek Barcelona, një tjetër yll rrezikon të humbasë El Clasicon
Kriza e dëmtimeve në Barcelonë ka marrë një kthesë dramatike, pasi rikuperimi i Raphinhas nuk po shkon ashtu siç duhet, duke rrezikuar pjesëmarrjen e tij në ndeshjen kryesore të La Ligës kundër Real Madridit.
Sulmuesi brazilian tani është në rrezik serioz për të munguar në këtë përballje të rëndësishme, duke iu bashkuar Robert Lewandowskit, i cili po ashtu do të qëndrojë jashtë për shkak të një dëmtimi në kofshë.
Barcelona ka marrë një goditje të rëndë para 'El Clasico'-s, pasi dëmtimi i hamstringut që pësoi Raphinha gjatë përballjes me Real Oviedon dy javë më parë ka rezultuar më serioz nga sa pritej.
Fillimisht, braziliani pritej të rikthehej për ndeshjet ndaj Gironës dhe Olympiacosit për t’u përgatitur në kohë për sfidën kundër Real Madridit.
Por, sipas raportimit të Sport, Raphinha “ndjeu shqetësime” gjatë testeve të fundit të rikuperimit, gjë që e detyroi të ndalojë procesin e stërvitjes dhe rehabilitimit.
Çështja që në fillim dukej si një problem afatshkurtër tani është përkeqësuar, dhe pjesëmarrja e tij në ndeshjen në Santiago Bernabeu më 26 tetor është në dyshim.
27-vjeçari nuk është stërvitur me ekipin që nga pushimet e kombëtareve dhe vazhdon të punojë individualisht në palestër.
Me vetëm pak ditë para ndeshjes me Gironën, trajneri Hansi Flick dhe stafi i tij po bëhen gjithnjë e më të shqetësuar për gjendjen e tij dhe mundësinë që ai të mungojë në atë që mund të jetë një ndeshje vendimtare për sezonin e Barcelonës.