Duka s’do përballje Shqipëri – Kosovë, do që të dyja t’i mundin ekipet tjera

Duka s’do përballje Shqipëri – Kosovë, do që të dyja t’i mundin ekipet tjera

Sport October 14, 2025 - 16:59

Kryetari i Federatës shqiptare të futbollit, Armando Duka, thotë se nuk do ta dëshironte një përballje me Kosovën në fazën e play-offit të Botërorit.

“Janë të gjitha ekipe të mira. Një nga ekipet që do të renditet në vendin e dytë është edhe Italia, mund të jetë Turqia, por edhe Kosova. Në çdo ekip duam që ta mundim, por Kosova duam që të përballet me ndonjë kundërshtar tjetër, që të dy ekipet të jemi pretendente” – thotë Duka në një intervistë për Blendi Fevziun.

Sa i përket përballjes me kundërshtarë të mundshëm, ai tha:

“Të gjitha sajtet e Europës bëjnë kalkulime, probabilitete. Ka një lloj probabiliteti që i pari në renditje që mund të jetë kundërshtari i Shqipërisë është Çekia, i dyti Polonia, i treti Hungaria dhe Skocia. Nuk dihet se çfarë do të ndodhë”

“Akoma nuk mund të them se në cilën vazo jemi ne. Formula e play-off-it është disi e koklavitur. Do të renditen ekipet sipas pikëve që do të marrin në kualifikuese, nga i pari deri te i 12-ti. Gjashtë të parat janë ekipe pritëse për play-off-in, gjashtë të dyta janë ekipe udhëtuese. Ne mund të jemi pritës, apo udhëtues në varësi të rezultateve. Do të llogaritet duke hequr pikët që ka fituar me vendin e pestë, për grupet me pesë skuadra, sic jemi ne. Pra, pikët e Andorrës nuk na llogariten.

Probabiliteti mbi 90% është që të jemi me 8 pikë në renditjen përfundimtare. Janë dy ndeshje teke, jo me ndeshje kthimi. Nëse do të jemi vendas, do të luajmë në Tiranë, ose udhëtues do të luajmë jashtë. Fituesit e të dy gjysmëfinaleve do të luajnë një finale me short për vendin ku do të luajnë”, thotë Duka.