
“Shkojmë për fitore”, Veldin Hoxha e Amir Saipi besojnë se Kosova mund ta befasojë sërish Suedinë
Mesfushori Veldin Hoxha dhe portieri Amir Saipi besojnë se mund ta befasojnë Suedinë në udhëtim.
Kosova do të jetë mysafir i Suedisë të hënën, ndërsa një pikë do të na ndihmonte për ta siguruar vendin e play-offit.
Optimizmi te “Dardanët” gjithashtu është shumë i madh, të cilën e kanë shprehur Hoxha e Saipi për faqen zyrtare të FFK-së. Ylli i Rubin Kazanit falënderoi tifozët që erdhën në “Fadil Vokrri” për mbështetjen e madhe të premten.
“Luajtëm barazim ndaj Sllovenisë, janë ekip shumë i mirë. Kishim raste për të shënuar, mirëpo mendoj se barazimi ishte rezultat i drejtë”.
“Atmosfera ishte shumë e mirë që erdhën në numër të madh për të na mbështetur. Ndeshja e radhës do të jetë shumë e vështirë ndaj Suedisë si mysafir, por i kemi mposhtur ndeshjen e parë dhe e dimë si të luajmë ndaj tyre”.
“Do të përgatitemi sa më mirë që të mundemi dhe shpresoj të marrim një rezultat pozitiv”.
Ndërkohë, Saipi nënvizoi se duan fitore nda Suedisë, por beson se nëse luajnë si ndaj Sllovenisë atëherë lehtësisht mund të marrin së paku një pikë.
“Sigurisht na mungoi diçka në ndeshjen e fundit dhe po ashtu goli. Jam optimist që ndeshja e radhës do të shkojë më mirë”.
“Suedia është ekip i vështirë, por kemi treguar edhe muajin e kaluar se mund të fitojmë edhe ndaj kundërshtarëve të mëdhenj. Jam optimist se edhe pikën tjetër mund ta marrim të hënën, për këtë duhet të japim secili 100 për qind”.
“Ata sigurisht kanë presion më të madh se ne. Ne shkojmë në lojë me më pak presion. Natyrisht duam të fitojmë, por nëse luajmë si ndaj Sllovenisë atëherë do të marrim një pikë padyshim”.
Kujtojmë, përballja zhvillohet të hënën me fillim prej ores 21:00.