
Nga dronët te snajperët, gazeta zvicerane: Ndeshja Serbi-Shqipëri është më shumë se futboll!
Gazeta prestigjioze zviceriane Neue Zürcher Zeitung i ka kushtuar një artikull ndeshjes që pritet të mbahet këtë të shtunë mes Serbisë dhe Shqipërisë, duke e cilësuar si një nga përballjet më të tensionuara të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Në analizën e saj, gazeta thekson se kjo ndeshje shkon përtej futbollit, duke reflektuar konflikte historike, tensione politike dhe sfida për bashkëjetesën rajonale. Me masa të rrepta sigurie, mungesë të tifozëve shqiptarë dhe kujtime të freskëta nga incidentet e vitit 2014, Neue Zürcher Zeitung shkruan se përballja e së shtunës shihet si një provë e rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe për atmosferën e Kampionatit Evropian 2027, që pritet të organizohet për herë të parë bashkërisht nga Shqipëria dhe Serbia.
Artikulli i medias zviceriane
Ndeshja e së shtunës mes Shqipërisë dhe Serbisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës konsiderohet si një nga më të tensionuarat. Përveç rëndësisë sportive, ajo shihet si një test për atmosferën e Kampionatit Evropian që do të mbahet pas dy vitesh.
Ndeshja nuk do të zhvillohet në Beograd, por në qytetin e vogël Leskovac, ku stadiumi ka kapacitet vetëm 8 mijë e 100 vende. Nuk do të ketë sektor për tifozët shqiptarë, pasi biletat nuk janë hedhur në shitje të lirë. Qindra policë do të sigurojnë stadiumin, përfshirë snajperë, agjentë civilë dhe ekspertë për dronë, masa që synojnë të shmangin përsëritjen e incidentit të vitit 2014.
Incidenti i dronit dhe pasojat e vitit 2014
Në ndeshjen e kualifikimeve për Euro 2016, tifozët serbë hodhën gurë mbi autobusin e ekipit shqiptar dhe fishkëllyen himnin kombëtar. Në minutën e 42-të, një dron me flamurin e “Shqipërisë së Madhe” fluturoi mbi fushë, duke shkaktuar përleshje mes lojtarëve. Ndeshja u ndërpre, por pasojat u ndjenë gjerësisht: në Prishtinë pati festime, në zonat kufitare u dogjën flamuj, dhe vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd u shty.
Futbolli si vazhdim i konfliktit historik
Në qendër të konfliktit qëndron Kosova, e banuar kryesisht nga shqiptarë etnikë. Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj që nga viti 2008. Tifozët serbë shpesh shfaqin simbole të “Serbisë së Madhe” dhe glorifikojnë figura historike si Milos Obiliç, ndërsa shqiptarët këndojnë për luftëtarët e UÇK-së dhe promovojnë idenë e një kombi të bashkuar shqiptar në rajon.
Provokime në arenën ndërkombëtare
Pas një ndeshjeje në Euro 2024, lojtari shqiptar Mirlind Daku përdori megafonin për të thirrur “Fuck Serbien”, gjë që solli pezullimin e dy ndeshjeve. Ndërkohë, Federata Serbe e Futbollit u gjobit pasi tifozët tentuan të digjnin një flamur shqiptar në një ndeshje kundër Zvicrës.
Menaxhimi i tensioneve dhe shpresat për bashkëpunim
Ndeshja e parë e kualifikimeve për Kupën e Botës mes dy vendeve përfundoi pa incidente. Në Tiranë, Federata Shqiptare e Futbollit nuk shiti bileta për grupet e tifozëve, por i zgjodhi fituesit përmes shortit nga 200 mijë aplikime. Tifozët protestuan me pankarta: “Na merrni biletat, na sillni policinë, por zemrën që rreh për Shqipërinë nuk mund ta vrisni.”
Euro 2027: Një mundësi për afrim apo përplasje?
UEFA ka vendosur që Kampionati Evropian U-21 i vitit 2027 të zhvillohet në Serbi dhe Shqipëri, me ndeshjen hapëse në Novi Sad dhe finalen në Tiranë. Armand Duka, president i Federatës Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ka qenë promotori kryesor i këtij bashkëpunimi.
Ndërsa zyrtarët sportivë dhe diplomatikë e shohin turneun si një hap drejt afrimimit dhe pjesë të iniciativës “Ballkani i Hapur”, grupet nacionaliste e kundërshtojnë ashpër. Tifozë shqiptarë kanë lyer me bojë të kuqe selinë e federatës dhe kanë publikuar foto të krimeve serbe në Kosovë, me mesazhin: “Nuk bashkëpunojmë me vrasësit.”
Nëse Euro 2027 do të zhvillohet realisht në të dy vendet, kjo do të varet nga marrëdhëniet politike mes Serbisë dhe Shqipërisë. Ndeshja e kthimit këtë të shtunë është një tregues i qartë për këtë perspektivë.