
Sylvinho para përballjes me Serbinë: Futbolli i paparashikueshëm, nesër ndeshje e bukur
Selektori i kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho ka folur para mediave në konferencë për shtyp.
Sylvinho ka folur para ndeshjes që “kuqezinjtë” e zhvillojnë ndaj Serbisë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2026.
Ai ka thënë se ndeshja ndaj Serbisë është e rëndësishme, teksa e cilësoi si një “ndeshje të bukur”.
“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, po tani është ndeshja më e rëndësishme ndaj Serbisë. Është një ndeshje e bukur, ashtu siç u pa edhe në Tiranë ndaj këtij kundërshtari”, tha ai fillimisht.
Ai ka shtuar po ashtu duke thënë se e gjithë skuadra është e gatshme, teksa thotë se nuk e shqetëson mungesa e golit.
“Të gjithë lojtarët kanë qenë të gartshëm në stërvitje, jemi stërvitur si skuadër, mungesa e golit nuk më shqetëson, kam besim te të gjithë lotjarët, nesër do të zgjedhim formacionin”, shtoi ai.
Tutje, ai iu kundërpërgjigj selektorit të Serbisë, i cili tha se e di lojën e Shqipërisë.
“Edhe ne e dimë ekipin e Serbisë, e dimë edhe ne si do të luajnë, nuk do të them për çdo surprizë që do të marrë, do te lë surprizë”, tha Sylvinho.
Sylvinho shtoi duke thënë se nuk mund të jap një përqindje për fitore nesër, pasi futbolli është i paparashikueshëm.
“Futbolli është i paparashikueshëm, kam bërë karrierë disavjeçare si lojtar, edhe si trajner kam disa vite karrierë, nuk mund të them se një ndeshje fitohet pa u futur në fushë. Në Tiranë u pa se të dy kombëtaret ishim aty-aty. Në futboll gjithçka ndodh për 90 minuta. Lojtarët tonë do të hyjnë në fushë me zemër të madhe”, tha Sylvinho.
Ndeshja Serbi – Shqipëri luhet nesër në Leskovc, me fillim nga ora 20:45.
Ndeshja e parë, e luajtur në Tiranë, përfundoi me shifrat prej 0-0.