Foda: Për çdo lojtar Kombëtarja duhet të jetë më e larta
Foto: Laura Hasani

Foda: Për çdo lojtar Kombëtarja duhet të jetë më e larta

Sport October 09, 2025 - 12:24

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka theksuar rëndësinë dhe përgjegjësinë që ka secili futbollist kur vesh fanellën e përfaqësueses.

Në një intervistë për “FFK Podcast”, trajneri gjerman tha se për çdo lojtar Kombëtarja duhet të jetë prioriteti më i madh.

“Për çdo lojtar Kombëtarja gjithmonë duhet të jetë më e larta”, deklaroi Foda.

“Nëse je i shëndetshëm, duhet të jesh në dispozicion për Kombëtaren, sepse përfaqëson gjithë vendin. I gjithë populli është pas teje. Kjo është ajo që e bën ndryshe nga klubi – në klub ke shumë tifozë, por jo gjithë vendin”.

Foda shtoi se ndjenja e përfaqësimit të një kombi është diçka unike dhe se çdo lojtar duhet ta ndjejë peshën dhe krenarinë e kësaj përgjegjësie.

Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës po vijon përgatitjet për dy ndeshjet e rëndësishme të tetorit.

Dardanët nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” përballen me Slloveninë, ndërsa tri ditë më vonë do të luajnë në udhëtim te Suedia.

Këto duele pritet të jenë sfida të rëndësishëm për Kombëtaren tonë në garën për kualifikim në Botërorin 2026.