
Duka: I nderuar dhe mirënjohës për përzgjedhjen si anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është zgjedhur anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s për një mandat katërvjeçar, duke sjellë një tjetër përfaqësim të rëndësishëm për Shqipërinë në strukturat më të larta të futbollit botëror.
Pas konfirmimit të emërimit, Duka reagoi me një mesazh falënderimi dhe reflektimi mbi këtë arritje: “Jam i nderuar dhe thellësisht mirënjohës për besimin që më është dhënë, duke u zgjedhur anëtar i Komitetit të Federatave Anëtare të FIFA-s për katër vitet e ardhshme. Ky nuk është vetëm një vlerësim personal, por mbi të gjitha një arritje e rëndësishme për futbollin shqiptar dhe për rrugëtimin tonë të përbashkët”.
Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rritjen e ndikimit të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, pas përfshirjes së Dukës edhe në strukturat e UEFA-s, ku ai mban prej vitesh poste drejtuese.