
Foda komenton situatën e Sahitit, flet edhe për Celinën: Nuk lejoj të ankohen publikisht për bashkëlojtarët
Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda thotë se Emir Sahiti duhet të ndryshojë qëndrimin dhe të mos ankohet për bashkëlojtarët, ndërsa deklaroi se ka diskutuar me mesfushorin Bersant Celina dhe do ta ketë në plane për të ardhmen.
Sahiti javë më parë publikisht në mediat gjermane kishte ankesa për formacionin e Kosovës, pra që sipas tij e meritonte vendin titullar.
Foda ka deklaruar se nuk pranon që lojtarët të dalin dhe të ankohen publikisht për bashkëlojtarët, megjithatë kjo nuk është arsyeja që s’e ka ftuar sulmuesin e Hamburgut.
“Te Emiri është kompletisht situatë tjetër sepse nuk lejoj që askush të flet keq për bashkëlojtarët. E pashë intervistën e tij në media. Mund të kenë pakënaqësi nëse luajnë në kombëtare ose jo, megjithatë të shohim”.
“Nuk e kam asnjë problem personal me asnjë lojtarë, mirëpo duhet t’i pranojnë vendimet e trajnerit. Kur lojtarët të pranojnë vendimet, atëherë do të jenë përzemërsisht të hapur për të qenë këtu”.
“Nuk kam probleme me Emir Sahitin. Nuk është arsyeja që s’është ftuar (intervista), por për mua është me rëndësi që në publik të mos flitet për lojtarët e tjerë. Për të shtuar, Sahiti luan në një pozitë kur luajnë shumë lojtarë të tjerë. Këtë herë kemi vendosur për këtë ekip dhe për mua është me rëndësi që kur të ketë këso takime, të flitet për lojtarët e grumbulluar”.
I pyetur për mos-ftesën e mesfushorit të AIK-ut Bersant Celina, tekniku gjerman nënvizoi se ky i fundit është në listën e tij për ndeshjet e ardhshme.
“Me Celinën kisha një bisedë të këndshme para dy jave. Me rëndësi që është gati të luajë për Kosovën. I thashë se nëse vazhdon me të njëjtën formë, atëherë ndoshta mund ta ftoj sepse aktualisht është ekipi është shumë i mirë për dy ndeshjet e radhës”.
Kosova i zhvillon dy ndeshje këtë muaj, ndaj Sllovenisë më 10 tetor në “Fadil Vokrri”, kurse tri ditë më vonë udhëtojnë për në Suedi. /Telegrafi