Amorim mendon se skuadra e Man Unitedit po bëhet më e pjekur

Amorim mendon se skuadra e Man Unitedit po bëhet më e pjekur

Sport October 05, 2025 - 18:19

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, beson që skuadra e tij më në fund po arrin pjekurinë, pas një paraqitjeje pozitive të shtunën në fitoren ndaj Sunderlandit.

Gol i Mason Mount dhe ai i sulmuesit slloven Benjamin Sesko në pjesën e parë vulosën një paraqitje më të pjekur, ndërsa portieri debutues Senne Lammens ruajti portën e paprekur.

“Nuk ishte një ndeshje perfekte, patëm momentet tona. Por ishim një skuadër konkurruese dhe e pjekur. E di që lojtarët duan të japin më të mirën dhe nuk duan të ndërrojnë trajnerin çdo herë. Por duhet ta tregojmë këtë me veprime. E ndjej gjatë javës, por duhet ta tregojmë në fushë. Ndonjëherë ata e dinë që mund të bëjmë më mirë. E dimë çfarë ndodh kur fitojmë një ndeshje. Zhgënjimi është të mos shohim të njëjtën skuadër në shtëpi edhe në udhëtim”, deklaroi Amorim.

Pas pauzës së kombëtareve Manchester United udhëton në “Anfield” për t’u përballur me Liverpoolin në krizë pas 3 disfatave rresht.