
Barazim mes Dukagjinit dhe Prishtinës së Re në Klinë
Dukagjini dhe Prishtina e Re ndanë pikët në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të Superligës së Kosovës, duke barazuar 1-1 në stadiumin “18 Qershori”në Klinë.
Pjesa e parë u karakterizua me raste nga të dyja skuadrat, por mungoi konkretizimi përpara portës. Të dy ekipet u përpoqën të impononin lojën e tyre, megjithatë portierët dolën fitimtarë në momentet kyçe, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej pa gola.
Pjesa e dytë nisi më me intensitet dhe u zhbllokua në minutën e 56-të, kur Toni Gomes përfitoi nga një top i kthyer në zonë dhe nga afër shënoi për 1-0 në të mirë të Prishtinës së Re.
Reagimi i Dukagjinit nuk vonoi. Vetëm pesë minuta më vonë, në minutën e 61-të, Albion Pllana barazoi shifrat në 1-1, pas një aksioni të shpejtë dhe përqendrimi të lartë në zonën kundërshtare.
Në minutat në vijim, skuadra e Armend Dallkut kërkoi me ngulm fitoren. Altin Merlaku dhe Mërgim Pefqeli patën rastet më të mira për Dukagjinin, ndërsa Merlaku goditi edhe shtyllën në fund të ndeshjes, duke qenë shumë pranë golit të fitores.
Në fund, rezultati mbeti i pandryshuar, 1-1, duke i dhënë nga një pikë secilës skuadër.
Ky barazim mban Dukagjinin në vendin e tretë me 14 pikë, ndërsa Prishtina e Re vazhdon të qëndrojë në vendin e parafundit me 7 pikë, duke kërkuar ende stabilitet në lojë dhe rezultate.