
Futbolli nuk mund t’i zgjidhë konfliktet por përçon mesazh paqeje, thotë shefi i FIFA-s
Presidenti i organit qeverisës së futbollit botëror (FIFA), Gianni Infantino, ka thënë të enjten se futbolli nuk mund t’i zgjidhë konfliktet, por duhet të përcjellë mesazh për paqe dhe unitet, në një kohë kur lufta e Izraelit në Gazë dhe tensionet e tjera globale po nxitin thirrje që sporti të marrë qëndrim.
“Në FIFA, ne jemi të përkushtuar për ta përdorur fuqinë e futbollit për t’i bashkuar njerëzit në një botë të ndarë”, tha Infantino në një mbledhje të Këshillit të FIFA-s në Zyrih.
“I kemi në mendje ata që po vuajnë nga shumë konflikte sot nëpër botë, dhe mesazhi më i rëndësishëm që futbolli mund të japë tani është ai i paqes dhe unitetit”, theksoi ai.
Infantino tha se FIFA nuk mund t’i zgjidhë krizat gjeopolitike, por “ajo mund dhe duhet të promovojë futbollin në mbarë botën duke shfrytëzuar vlerat e tij bashkuese, arsimore, kulturore dhe njerëzore”.
FIFA është përballur me thirrje të përsëritura për të vepruar lidhur me luftën në Gazë, ndërkohë që zyrtarët palestinezë kanë kërkuar që Izraeli të pezullohet nga futbolli ndërkombëtar.
Ka disa muaj tani që FIFA po e shqyrton këtë çështje, por ende nuk e ka marrë asnjë vendim.
Infantino ka thënë vazhdimisht se çështje të tilla kërkojnë pajtueshmëri në mesin e konfederatave dhe se duhen trajtuar me kujdes.
Një ditë më herët, nënkryetari i FIFA-s, Victor Montagliani, theksoi se çdo vendim mbi pjesëmarrjen e Izraelit në garat evropiane, përfshirë kualifikueset e Kupës së Botës, është çështje e UEFA-s, duke ia kaluar përgjegjësinë organit qeverisës të futbollit evropian.
“Para së gjithash, ai (Izraeli) është anëtar i UEFA-s, ashtu siç më duhet të merrem me një anëtar të rajonit tim për çfarëdo arsye… Ata duhet të merren me këtë”, u tha Montagliani gazetarëve në konferencën e biznesit sportiv të mërkurën.
Izraeli ndodhet në vendin e tretë në Grupin I në fazën kualifikuese për Kupën e Botës së vitit të ardhshëm në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Amnesty International të mërkurën u dërgoi letër FIFA-s dhe UEFA-s duke u bërë thirrje ta pezullojnë Federatën Izraelite të Futbollit. /REL