
PSG-ja fiton me përmbysje ndaj Barcelonës
Paris Saint-Germaini ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj Barcelonës në kuadër të rrehtit të dytë të Ligës së Kampionëve.
Katalunasit e nisën më mirë takimin duke kontrolluar ritmin e ndeshjes dhe duke bërë disa dalje të rrezikshme në drejtim të portës së PSG-së.
Përpjekjet e hershme të Barcelonës u shpërblyen eventualisht me golin e epërsisë.
Në minutën e 19-të Marcus Rashford bëri një asistim perfekt te Ferran Torres I cili nuk gaboi duke e çuar topin në rrjetë për rezultatin 1-0.
Dani Olmo doli në rast për blaugranasit në minutën e 26-të, por goditja e tij përfundoi jashtë shtyllës së djathtë.
Mysafirët u kundërpërgjigjën në minutën e 38-të duke barazuar rezultatin përmes Senny Mayulus i cili realizoi për 1-1 pas një asistimi të bukur nga Nuno Mendes.
Bradley Barcola (53’) pati një mundësi të mirë shënimi, por Szczesny ishte në krye të detyrës duke ia mohuar golin.
Blaugranasit patën një mundësi të artë shënimi me Dani Olmon (64’) por Achraf Hakimi devijoi topin që po shkonte drejt rrjetës.
Rasti më ideal i pjesës së dytë i takoi PSG-së të cilët në minutën e 83-të goditën shtyllën me anë të Kang-in Lee.
Kampioni në fuqi i Evropës ia doli të shënojë në minutën e 92-të përmes Goncalo Ramos i cili e çoi në rrjetë topin e dhuruar nga Achraf Hakimi për 2-1.