
Xavi, i etur që të marrë drejtimin e gjigantit anglez
Manchester United mund të jetë në prag të një ndryshimi të madh në pankinë, dhe një nga kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e ekipit është ish-trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez.
Xavi është pa ekip prej më shumë se një viti, pasi u shkarkua nga Barcelona në fund të sezonit 2023/2024 për t’i hapur rrugë emërimit të Hansi Flick.
Pas largimit, ai njoftoi se do të merrte një vit pushim nga stoli, por që nga vera ka filluar të shqyrtojë ofertat që i janë paraqitur, edhe pse ende nuk ka pranuar asnjë.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, Xavi është shumë i interesuar për të marrë drejtimin e Manchester United, veçanërisht nëse pozita e Ruben Amorim, aktualisht trajner i “Djajve të Kuq”, vihet në pikëpyetje.
“Xavi është duke studiuar Ligën Premier. Ai është duke e ndjekur me kujdes kampionatin dhe do të shkonte menjëherë te Manchester United, edhe nëse klubi nuk merr pjesë në garat evropiane”, është shprehur Romano.
Për momentin, bordi i United po vijon të mbështesë Amorim, i cili është në detyrë prej më pak se një viti. Megjithatë, nëse situata nuk përmirësohet dhe vendoset largimi i tij, Xavi pritet të jetë menjëherë i gatshëm për të marrë drejtimin e ekipit.
Kjo do të ishte aventura e tretë si trajner për Xavin, pas përvojave me Al-Sadd në Katar dhe Barcelonën. Në sytë e tij, një lëvizje drejt “Old Trafford” do të ishte hapi ideal për të vazhduar karrierën në një nga kampionatet më konkurruese në botë.
Ndërkohë, emri i Xavit është përmendur edhe në lidhje me një tjetër klub. Sipas gazetës Sport, Al-Ittihad është duke e konsideruar atë si pasues të Laurent Blanc, i cili u shkarkua së fundmi nga posti i trajnerit.