Barcelona kërkon leje nga UEFA për të thyer rregullin e Ligës së Kampionëve para ndeshjes me PSG-në

Barcelona kërkon leje nga UEFA për të thyer rregullin e Ligës së Kampionëve para ndeshjes me PSG-në

Sport September 30, 2025 - 17:12

Barcelona ka kërkuar leje të veçantë nga UEFA për të thyer një rregull të Ligës së Kampionëve përpara ndeshjes së ardhshme ndaj Paris Saint-Germain.

Barcelona do të përballet me kampionët në fuqi, PSG, të mërkurën, në një nga përballjet më të spikatura të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Të dy skuadrat e nisën fushatën evropiane me fitore. Barcelona triumfoi 2-1 ndaj Neëcastle në transfertë, falë një dopiete të Marcus Rashford, ndërsa PSG mposhti Atalantën me rezultatin e thellë 4-0 në Paris.

Ndeshja e së martës do të zhvillohet në stadiumin olimpik Montjuic, dhe jo në “Camp Nou”, i cili është ende në proces rinovimi.

Kampionët e La Ligës kishin shpresuar të mirëprisnin Real Sociedadin në “Camp Nou” të dielën, me një kapacitet të reduktuar prej 27,000 vendesh, por kërkesa e klubit për lejen përkatëse u refuzua nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Barcelonës.

Si rezultat, edhe ndeshja kundër PSG-së do të luhet në Montjuic, një situatë që ka krijuar një problem të mundshëm për klubin në kuadër të kompeticioneve evropiane.

Rregullorja e UEFA-s ndalon që një klub të zhvillojë ndeshjet e fazës së grupeve në më shumë se një stadium, gjë që potencialisht e pengon Barcelonën të kthehet në “Camp Nou” për ndeshjet e mbetura.

Sipas raportimeve të gazetës spanjolle Marca, Barcelona ka dorëzuar një kërkesë zyrtare në UEFA për një përjashtim të veçantë nga ky rregull. Klubi katalanas shpreson të rikthehet në “Camp Nou” pas pushimit ndërkombëtar që nis të hënën.

Ndeshja e radhës në Ligën e Kampionëve për Barcelonën, pas sfidës me PSG-në, është më 21 tetor kundër ekipit grek Olympiacos. Tre ditë më herët, më 18 tetor, Barcelona do të përballet me rivalët lokalë të Gironës në La Liga.

Edhe pse vendi i zhvillimit të kësaj ndeshje nuk është konfirmuar zyrtarisht, Këshilli Bashkiak ka shprehur besimin se ndeshja do të mund të zhvillohet në “Camp Nou”.