
“Dua të kualifikohem në Evropian ose Botëror me Kosovën” - Rrahmani flet për të gjitha
Sezoni i kaluar nuk ishte aspak i lehtë për Albion Rrahmanin. Ai luajti pak, shpesh ishte i shqetësuar dhe pyeste veten se ku kishte gabuar. “Kisha prekur fundin”, pranoi sulmuesi kosovar për mediat çeke, duke treguar se ndodhej në një periudhë të vështirë.
Por këtë vit gjithçka ka ndryshuar. Edicioni i tij i dytë te Sparta Praga, klub që pagoi 5 milionë euro për ta transferuar, ka nisur shkëlqyeshëm. Rrahmani ka shënuar tetë gola në 15 ndeshje në të gjitha garat – pesë në kampionatin çek dhe tre në kualifikimet e Ligës së Konferencës – si dhe ka regjistruar një asistim.
“Dallimi është si dita me natë, jam më i fortë në kokë”, tha 25-vjeçari në një intervistë për mediumin çek iSport.
Rrahmani shfaqet i thjeshtë dhe modest. Kur mbërriti në qendrën stërvitore të Strahovit për intervistë, përshëndeti të gjithë me një buzëqeshje.
Ai pranon se flet vetëm disa fjalë në gjuhën çeke: “Është gjuhë e vështirë”. Megjithatë, me anglishten e tij të rrjedhshme, foli hapur për besimin, lidhjen e fortë me babain, si dhe për ëndrrën e madhe që ka me Spartën dhe Kombëtaren e Kosovës.
“Dua të kualifikohem në Kampionatin Evropian ose Botëror me Kosovën”, theksoi ai.
Me Kosovën, në 17 ndeshje ka realizuar 6 gola, duke u vlerësuar si e ardhmja e repartit ofensiv.
“Lewandowski i Malishevës”
Në fillim të intervistës, Rrahmani shpjegoi origjinën e nofkës së tij të famshme, që e ka përcjellur edhe në Rumani, ku shpërtheu te Rapid Bukuresht.
“Filloi me një komentator, i cili pas golit tim nisi të bërtiste në komentim ‘Lewandowski i Malishevës’. Dhe askush më nuk u ndal. U përhap. Sot shokët e mi të ekipit përfaqësues dhe miqtë më quajnë kështu. Madje u përhap edhe në Rumani”.
Sulmuesi e pranon me kënaqësi këtë krahasim me Robert Lewandowskin, yllin e Barcelonës.
Stili i golave dhe ndikimi i të atit
Rrahmani tha se aftësinë për gjuajtje drejt portës e ka zhvilluar duke punuar me babain e tij, Dritonin, i cili ka qenë futbollist i njohur. Shumë gola i ka shënuar nga distanca, me goditje të forta dhe të sakta.
“Kërkon teknikë. Kjo është arsyeja pse shpesh qëndroj në fushë me trajnerët dhe djemtë pas stërvitjes dhe organizojmë gara të ndryshme me gjuajtje. Më detyron të jem i përqendruar dhe shumë i saktë”, tha ai.
Rrahmani ka kaluar një rrugëtim të gjatë: filloi me të rinjtë e Llapit, më pas luajti për Minatorin, Bashkimin, Malishevën dhe Ballkanin.
Në vitin 2023, nga Ballkani kaloi te Rapid Bukureshti, ku shkëlqeu dhe tërhoqi vëmendjen e skautëve. Pikërisht aty nisi hapi i madh: transferimi rekord te Sparta Praga, ku sot po tregon vlerat e tij.