“Faleminderit PSG-së, nënës dhe Messit që më mësuan të ëndërroj” - fjalët e Dembeles pasi fitoi Topin e Artë

“Faleminderit PSG-së, nënës dhe Messit që më mësuan të ëndërroj” - fjalët e Dembeles pasi fitoi Topin e Artë

Sport September 23, 2025 - 08:34

Ousmane Dembele është kurorëzuar me Topin e Artë, duke hyrë në mesin e emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.

Sulmuesi i PSG-së pranoi çmimin nga legjenda braziliane Ronaldinho, në një mbrëmje magjike ku emocionet e tij nuk munguan.

“Faleminderit të gjithëve. Është e pabesueshme ajo që më ndodhi. Jam pa fjalë. Ka qenë një sezon i jashtëzakonshëm me PSG-në dhe kam përjetuar gjëra të mrekullueshme. Të fitosh këtë trofe dhe që Ronaldinho të ma dhurojë është diçka e jashtëzakonshme”, u shpreh Dembele.

Ai vlerësoi në veçanti klubin parisien dhe trajnerin Luis Enrique, pasi ka arritur kulmin me PSG-në.

Image

“Dua të falënderoj PSG-në, që më mori në vitin 2023. Presidentin, të gjithë ekipin dhe stafin që janë si një familje e mrekullueshme. Luis Enrique është bërë si një baba për mua, ai ka qenë shumë i rëndësishëm për karrierën time. Faleminderit edhe të gjithë shokëve të skuadrës, sepse ky është një çmim individual, por në fakt e fitojmë të gjithë si ekip”, deklaroi francezi.

Dembele nuk harroi as etapat e tjera të karrierës së tij, duke i falënderuar edhe klubet ku ka luajtur.

“Faleminderit Rennes, Dortmundit dhe Barcelonës, klubit që gjithmonë kam ëndërruar të luaj. Aty pata mundësinë të mësoja nga lojtarë si Messi dhe Iniesta. Kam punuar gjithmonë për ekipin për të fituar trofe të mëdhenj, si Liga e Kampionëve dhe Ligue 1. Tani, ta çoj në shtëpi këtë trofe është e pabesueshme”, nënvizoi ai.

Francezi e përmbylli fjalimin me një mesazh të ngrohtë për njerëzit më të afërt.

“Faleminderit familjes sime, nënës sime, agjentit tim dhe shokut tim më të mirë që ka qenë gjithmonë pranë meje. Ky trofe është edhe i tyre”, përfundoi ai.

Image

Ky triumf i Dembeles vjen pas një sezoni të madh me PSG-në, ku ai ishte vendimtar në sukseset vendore dhe evropiane të klubit. /Telegrafi