
Trajneri i Interit lavdëron paraqitjen e Aro Muriqit: Bëri paraqitje të jashtëzakonshme
Trajneri i Interit, Cristian Chivu, ka komentuar mbi fitoren e Interit ndaj Sassuolos, ku ndër të tjera dha lëvdata për portierin Aro Muriq.
Në javën e katërt të Serisë A, “Neurazzurët” arritën një fitore të rëndësishme në shtëpi me rezultatin 2–1.
Muriqi ishte mahnitës, pavarësisht humbjes, ku bëri pesë pritje brenda zonës, ndërsa nga “SofaScore” u vlerësua me një notë 7.6.
“Gjëja më pozitive është fitorja, na duhej shumë dhe zhvilluam një ndeshje të mirë. Mund ta kishim mbyllur më herët, por përballë kishim një portier [Aro Muriq] që bëri një paraqitje të jashtëzakonshme”.
“Kur kundërshtari shënon në minutat e fundit, është e pashmangshme që krijohet tension, por ne u përpoqëm të luanim futbollin tonë dhe të krijonim raste. Rezistuam deri në fund dhe kjo është diçka pozitive. Sot më e rëndësishmja ishte fitorja”.

“Mendoj se skuadra mund të luajë edhe më mirë: të qarkullojë topin më shpejt, të sulmojë më me efikasitet, edhe pse nuk është e lehtë kur kundërshtari mbyllet në mbrojtje. Gjithsesi, treguam karakter, vendosmëri, qëndrim të duhur dhe lojë cilësore. Patëm raste për ta mbyllur ndeshjen më herët, por portieri bëri shumë pritje të mira", u shpreh trajneri i Interit për “DAZN Italia”.
Ndërkohë, Muriqi paraqitje fantastike zhvilloi edhe për Kosovën kundër Suedisë, ndërsa pritet të jetë “gardiani” i “Dardanëve” edhe në muajin tetor. /Telegrafi