
Për herë të parë klubi i vajzave bëhet me fushë të futbollit, Përparim Rama bën dorëzimin e terrenit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar klubin e futbollit të vajzave Prishtina. Rama ka thënë se për herën e parë vajzat e kanë fushën e tyre të futbollit.
"Për herë të parë në Kosovë, vajzat kanë fushën e tyre të futbollit. Kënaqësi e jashtëzakonshme me pa entuziazmin e vajzave në momentin e pranimit të terrenit të futbollit në Bardhosh", ka shkruar Rama.
Rama ka theksuar se kryeqyteti do të vazhdojë përkrahjen, duke shtuar se fusha e futbollit është mundësi për barazi.
"KFV Prishtina, që nga dita e parë, i ka hapur dyert për vajzat e kryeqytetit nga 5-vjeçaret e deri te senioret pa asnjë pagesë dhe Ne, si Kryeqytet, vazhdojmë t’i përkrahim. Kjo fushë është më shumë se sport: është barazi, është mundësi dhe është premtim për një gjeneratë vajzash që rriten të gatshme të arrijnë majat", ka shkruar Rama. /Zëri