
Shtyhet afati për licencimin e klubeve të basketbollit në Kosovë
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka bërë të ditur se afati i fundit për licencimin e klubeve pjesëmarrëse në sezonin e ri garues 2025/26 është caktuar deri më 25 shtator 2025.
Ky vendim është miratuar nga Bordi i FBK-së më 18 shtator, pas një propozimi të bërë nga sekretarja e përgjithshme, Elvira Dushku.
Sipas FBK-së, vendimi ka për qëllim të qartësojë dhe përcaktojë afatin e fundit për përmbushjen e të gjitha kritereve të nevojshme për licencim nga klubet anëtare, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri të basketbollit kosovar.
“Të gjitha klubet që nuk e kanë përmbushur ende dokumentacionin e kërkuar për licencim, obligohen që ta dorëzojnë atë brenda pesë (5) ditëve pune nga data e miratimit të këtij vendimi, pra deri më 25 shtator 2025”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Pas përfundimit të këtij afati, çdo klub që nuk i ka plotësuar kushtet e licencimit nuk do të marrë licencën dhe nuk do të lejohet të marrë pjesë në garat e sezonit 2025/26.
FBK-ja tutje thekson se vendimi është marrë në përputhje me parimet e: Barazisë dhe korrektësisë, duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha klubet, transparencës, përmes caktimit të një afati të qartë për plotësimin e kritereve, integritetit të garës, për të siguruar që në kampionatet e FBK-së të marrin pjesë vetëm klubet që përmbushin standardet minimale.
Zbatimi i këtij vendimi do të bëhet nga sekretarja e përgjithshme e FBK-së, ndërsa vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë nga data e miratimit – 18 shtator 2025.
FBK-ja u bën thirrje të gjitha klubeve që të veprojnë me urgjencë dhe të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar brenda afatit të përcaktuar, për të siguruar pjesëmarrjen në sezonin e ri garues.