
Ademola Lookman mungon sërish për Atalantën ndaj PSG-së
Atalanta do të nisë fushatën e saj në Ligën e Kampionëve për sezonin 2025-26 të mërkurën në mbrëmje kundër Paris Saint-Germain, në stadiumin Parc des Princes, me fillim në orën 21:00
Ademola Lookman vijon të jetë jashtë planeve të trajnerit Ivan Juric, pas një përpjekje të dështuar për të lënë klubin gjatë verës. Nigeriani nuk ka luajtur për Atalantën që nga fundi i sezonit 2024-25. Megjithëse ishte pjesë e kombëtares së tij gjatë pauzës ndërkombëtare, Juric nuk e përfshiu atë në skuadër për ndeshjen e fundit në Serie A ndaj Lecces, të cilën Atalanta e fitoi 4-1.
“Nuk duhet të lus dikë që të vijë të luajë”, u shpreh Juric.
Sipas raportimeve të TMW, Juric nuk do ta thërrasë Lookmanin as për përballjen ndaj PSG-së të mërkurën në mbrëmje.
Përveç tij, Atalanta do të jetë pa disa lojtarë të rëndësishëm për shkak të dëmtimeve. Mesfushori Ederson dhe sulmuesi Gianluca Scamacca, si dhe mbrojtësit Sead Kolasinac dhe Mitchel Bakker, pritet të mungojnë gjithashtu.
Edhe PSG ka mungesa të shumta. Desire Doue dhe Ousmane Dembele pritet të jenë jashtë fushave, ndërsa në dyshim është edhe Khvicha Kvaratskhelia, i cili u detyrua të largohej nga fusha gjatë fitores 2-0 ndaj Lensit në fundjavë.