Mata vazhdon të jetë aktiv, ky është klubi i tij i ri

Mata vazhdon të jetë aktiv, ky është klubi i tij i ri

Sport September 16, 2025 - 10:49

Mbrëmë erdhi edhe zyrtarizimi i firmës së Juan Matas me Melbourne Victory, klub i elitës së futbollit australian.

Sezonin e kaluar, me fanellën e Western Sydney në të njëjtën ligë, 37-vjeçari Juan Mata zhvilloi 23 ndeshje në të gjitha kompeticionet, ku realizoi 1 gol dhe dha 3 asistime.

“Jam i entuziazmuar që po vij në Melbourne dhe të jem pjesë e një prej klubeve më të respektuara të Ligës dhe të luaj përpara anëtarëve dhe tifozëve të jashtëzakonshëm. Jam i shtyrë dhe i motivuar të ndihmoj këtë skuadër të fitojë trofe dhe të punoj me klubin si pjesë e një plani afatgjatë për të forcuar futbollin në vend”, ishin fjalët e para të lojtarit të lindur më 1988 në klubin e tij të ri.

Mata njihet për karrierën e kaluar fillimisht te Valencia e pastaj edhe në Premier Ligë me Chelsean dhe Manchester United. 37 vjeçari për herë të fundit në Evropë ka luajtur në sezonin 2022-23 me fanellën e Galatasarayit para se të transferohej në Japoni te Vissel Kobe.

Mata në nivel klubesh dhe kombëtaren e Spanjës ka fituar 12 trofe, ku spikatin Kupa e Botës 2010 dhe Kampionati Evropian 2012 me “La Furia Roja”.