
Edon Zhegrova: Ëndrra ime u bë realitet
Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, është prezantuar zyrtarisht si lojtar i ri i Juventusit, ku të enjten në një konferencën për media foli si lojtar i torinezëve.
Zhegrova, i cili iu bashkua gjigantit italian në ditën e fundit të afatit kalimtar, u shpreh i lumtur me pritjen që i është bërë nga klubi i njohur italian.
“Jam shumë i kënaqur me këto ditë të para dhe jam mirëpritur nga të gjithë. Kam kaluar një kohë të vështirë, por tani ndihem më mirë. Stafi po më ndihmon, do të jem gati shumë shpejt dhe do të jem shumë më mirë”, tha Zhegrova.
Ai theksoi se transferimi te Juventusi është realizimi i një ëndrre të kamotshme.
“Kam ëndërruar gjithmonë të luaj në një klub të madh si ky. Sapo bisedova me drejtuesit e Juventusit e kuptova se kishte interesim serioz dhe ëndrra ime do të mund të bëhej realitet.”
Duke folur për ambiciet e tij me “Zonjën e Vjetër”, Zhegrova shtoi: “Kjo është një skuadër e re që dëshiron t’i fitojë të gjitha ndeshjet dhe sfidat me të cilat përballet. Ky do të jetë gjithmonë objektivi. Kur jam përballur me Juventusin si kundërshtar, ishte një mundësi për t’i demonstruar vlerat e mia. Tash jam pjesë e këtij klubi dhe të gjithë po më ndihmojnë të integrohem sa më shpejt.”
Ky transferim shënon një hap historik për yllin kosovar, i cili pritet të ketë rol të rëndësishëm në projektin e ri të Juventusit.