
Zyrtare: Leon Dajaku bëhet me skuadër të re, do të luajë në Bundesligë 3
Leon Dajaku rikthehet në Gjermani, por kësaj radhe do të luajë në Bundesligë 3.
24-vjeçari ka firmosur kontratë me SSV Ulm 1846 deri më 30 qershor 2027, duke u bërë përforcimi më i ri i klubit gjerman.
Dajaku ka përvojë të madhe për moshën e tij, me gjashtë paraqitje në Bundesligë, 43 ndeshje në divizionin e tretë dhe 32 takime në kampionatin anglez. Ai ka provuar gjithashtu futbollin në Zvicër, Kroaci dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sulmuesi kosovar ka luajtur 24 herë për ekipet kombëtare të të rinjve të Gjermanisë. Ai u rrit te VfB Stuttgart dhe në vitin 2019 u transferua te Bayern Munich, me të cilin fitoi dopietën në vitin 2020.
Pas Bayernit, ai kaloi te Union Berlin dhe më pas te Sunderland në Angli. Karriera e tij vijoi me St. Gallen në Zvicër, Hajduk Split në Kroaci dhe së fundmi Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara.
“Jam i kënaqur që po marr një sfidë të re në një klub tradicional si SSV Ulm 1846. Gjithashtu tani jam shumë afër qytetit tim të lindjes dhe familjes sime përsëri".
"Kjo është një mundësi e shkëlqyer për mua dhe dua t’i shfrytëzoj sa më mirë cilësitë e mia në mënyrë që të kemi sukses së bashku", deklaroi Dajaku.