Tri “finale” të mbetura, ja kur do t’i luajë Shqipëria ndeshjet e fundit kualifikuese

Tri “finale” të mbetura, ja kur do t’i luajë Shqipëria ndeshjet e fundit kualifikuese

Sport September 10, 2025 - 09:24

Pas pesë ndeshjesh të zhvilluara në kuadër të kualifikueseve të Grupit K për Kupën e Botës 2026, Shqipëria ndodhet në pozita premtuese.

Skuadra e drejtuar nga Sylvinho ka grumbulluar tetë pikë, duke u renditur aktualisht në vendin e dytë, një pozicion që mban të hapura shpresat për kualifikim.

Në horizont mbeten edhe tri finale për kuqezinjtë, të cilat do të përcaktojnë fatin e Kombëtares.

Sfida e radhës pritet më 11 tetor, në një transfertë shumë të ndjeshme ndaj Serbisë, që pritet të jetë një përballje me shumë tension dhe peshë në renditje.

Më pas, më 13 nëntor, Shqipëria do të udhëtojë drejt Andorrës, ku do të kërkojë me patjetër një tjetër fitore për të mbajtur gjallë objektivin.

Faza e grupeve do të mbyllet më 16 nëntor, në “Arenën Kombëtare”, ku kuqezinjtë do të presin Anglinë, lideren e grupit dhe favoritin kryesor për kualifikim direkt, shkruan tch.

Me shumë mundësi, anglezët do të kenë siguruar vendin e parë, çka mund të ndryshojë dinamikën e ndeshjes së fundit për Shqipërinë.