
Foda flet pas triumfit të madh të Kosovës ndaj Suedisë
Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore të madhe me rezultat 2-0 në shtëpi ndaj Suedisë në kuadër të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026.
Pas kësaj fitore u deklarua edhe përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, i cili u nda i kënaqur me paraqitjen e ekipit.
Tekniku gjerman ndër të tjerash shpjegoi disa nga vendimet e tij në këtë ndeshje, si ai i zëvendësimit të Baton Zabërgjës me Ilir Krasniqin dhe mënyrën se si Kosova e neutralizoi me plot sukses Viktor Gyokeres dhe bashkëlojtarët.
“Shumë krenar me ekipin, ka luftuar për 90 minuta dhe kemi luajtur mirë në ofenzivë. Pas humbjes i kam thënë skuadrës se do të kemi mundësi për fitore të re. Mendoj se i gjithë futbolli i Kosovës mund të jetë krenar me atë që kemi treguar”.
“Vendosëm të luajmë me dy sulmues, pasi Suedia vendosi të luajë me tre sulmues. Florent Muslijën e kishim si lojtar kreativ, ndërsa në sulm ishin Vedati e Albion Rrahmani”.
“Ishim të detyruar të luajmë me pesë mbrojtës për shkak të sulmit të Suedisë. Startuan Gyokeres e Elanga, ndërsa më pas luajti edhe Isak”.
“Në përgjithësi ishte një paraqitje e mirë nga gjithë skuadra. Mbrojtësit i kanë ruajtur hapësirat shumë mirë”.
“Baton Zabërgja është dashur të startojë, por është lënduar në momentin e fundit. Pësoi lëndim muskulor gjatë nxemjeve, kështu u aktivizua Ilir Krasniqi. Edhe me Batonin kemi planifikuar të luajmë me pesë mbrojtës”.
“Kemi planifikuar që t’i ikim presionit të Suedisë me pasime sa më të shpejta. Sidomos me Albionin e kishim këtë plan. E kemi ditur se nga loja një kundër një mund të kishim raste për gol”, ka thënë Foda.